Kryediplomatja qipriote takon Arifin dhe presidentin Ivanov

Zëvendëskryeministrja për çështje evropiane, Teuta Arifi, sot u takua me ministren e Punëve të Jashtme të Qipros, Erato Kuzaku- Markulis.

Gjatë takimit u diskutua mbi Raportin e fundit të Komisionit Evropian ku bashkëbisedueset u pajtuan që ky raport ka shënuar përparim në shumë sfera kyçe dhe është rezultat i përkushtimit të institucioneve të këtij vendi dhe dinamikës së zhvillimeve me hapjen e Dialogut aderues në nivel të lartë.

Zëvendëskryeministrja Arifi informoi mbi aktivitetet që vendi ynë i ndërmerr sa i përket reformave nga agjenda evropiane dhe theksoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka miratuar Plan aksionar në të cilën adresohen rekomandimet e shënuara në Raportin e Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë dhe parashihen aktivitete dhe masa konkrete për tu adresuar sferave që kanë nevojë për reforma shtesë.

Ministrja Markulis theksoi që takimi zhvillohet në një moment të rëndësishëm gjegjësisht para Samitit të BE të caktuar për muajin dhjetor të këtij viti. Në këtë kontekst Erato u shpreh që si udhëheqës i Këshillit të BE do të bëjë përpjekje maksimale për rruajtje të atmosferës pozitive sa i përket procesit të zgjerimit të BE .

Ndërkaq, kryediplomatja qipriote u takua edhe me presidentin e vendit Gjorge Ivanov. Temat kryesore të bisedimeve ishin evrointegrimet e Republikës së Maqedonisë, procesi reformues dhe mundësitë për përcaktimin e datës për fillimin e negociatave aderuese për anëtarësimin në Bashkimin Evropian në Këshillin e ardhshëm Evropian në dhjetor.

Konstatimi i përbashkët ishte se procesi i integrimit është po ashtu edhe proces i transformimit të shoqërive, për shkak të cilës integrimi në Bashkimin Evropian për vendet ballkanike është prioriteti më i lartë, ndërsa politika e zgjerimit konsiderohet si njëra nga politikat më të suksesshme të BE-së./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button