Shqiptarët e Maqedonisë, gjithnjë të shtypur nga sistemi!

Në 100 vjet shtet, shqiptarët në përgjithësi për arsye të trashëgimisë ideologjike, kanë përjetuar situata, sa të lumtura aq edhe tragjike. Të ndarë në disa shtete fati jo gjthnjë u ka buzëqeshur atyre, sidomos të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Çamërisë që mbeten ende jashtë kufinjve të tyre natyral.

Formimi i Republikës së Shqipërisë në vitin 1925 dhe monarkia e Mbretit Zog në 1928-n i dhanë shtetit shqiptar formën e qeverisjes dhe legjislacionin perëndimor, por gjithmonë me elemente edhe të lindjes në mentalitetin e udhëheqësve shqiptar. 

Shqiptarët e Shqipërisë kanë njohur shtetin e diktaturës që Enver Hoxha e shpallte si “shkalla më e lartë e demokracisë”, që e zhvilloi arsimin, shëndetësinë, kulturën e sportet, por solli izolimin e ndarjen për së gjalli me vëllezërit në trojet natyrale shqiptare, varfërinë ekstreme të popullit dhe luftën e tmerrshme të klasave, burgjet dhe internimet, ideologjizimin e politizimin e mendjeve njerëzore dhe izolimin e tejskajshëm nga qytetërimi perëndimor. Shqiptarët përjetuan shembjen e diktaturës dhe krijimin e pluralizmit politik me ekonominë e tregut, që ka sjellë ndryshime dhe e ka rritur nivelin e jetesës.

Ngjashëm si në Shqipërinë administrative, edhe në trojet tjera shqiptare në Ballkan, shqiptarët kanë kaluar në më shumë sisteme politike, me dallim që këta nuk kishin ndikim në të njëjtat, dhe kishin gati se të njëjtën pozitë nënshtruese në çdo sistem që ka mbizotëruar në këto troje.

Pikërisht në Maqedoni, historiani Skënder Asani thekson se qëndrimi nën okupim ka kufizuar shqiptarët që të krijojnë apo zhvillojnë ideologji të tyren politike.

“Prej vitit 1912 shqiptarët nuk kishin hapësirë që të krijojnë ideologjitë e tyre politike të veprimit politik sepse ishin nën okupimin sllav dhe sllavët nuk e njihnin popullin shqiptar dhe me mosnjohjen e popullit shqiptar, shqiptarët automatikisht nuk kishin mundësi që të krijojnë institucionet e tyre arsimore, kulturore, por edhe partitë politike. Vetëm pas vitit 1990 shqiptarët formojnë partinë qytetare por me prefiks kombëtar. Dhe dalë ngadalë deri në vitin 2001 shqiptarëve nuk u njiheshte arsimi sipëror, u cënoheshin të drejtat dhe liritë e tyre elementare për gjuhë dhe elementet tjera shtetformuese si flamuri” – thotë Asani.

Ismet Ramadani, ish deputet në parlamentin e Maqedonisë thotë se as edhe demokracia pas pavarësisë së Maqedonisë nuk u solli të drejta shqiptarëve, si rezultat i mungesës së vullnetit nga pala maqedonase që të njohin të drejtat e etnisë shqiptare.

“Shqiptarët të persekutuar, të shtypur, të maltretuar kanë qenë në të gjitha sistemet para viteve 90-ta e sidomos në sistemin komunist. Nga vitit 90-ta shqiptarët filluan ta ndjejnë veten më të lirë, duke fituar të drejtën për ti artikuluar kërkesat e tyre për liri, barazi, përdorim të flamurit, përdorim të gjuhës amtare, arsimimit në të gjitha nivelet në gjuhën amtare, pozicion më të avancuar kushtetues. Por në vitet 90-ta edhe pse shpresuan se demokracia do të ju sjell më shumë liri, më shumë barazi dhe më shumë avancim të çështjes së tyre, ishte një zhgënjim për faktin se pala maqedonase nuk deshi ta kuptoj vizionin e shqiptarëve për të ndërtuar demokraci dhe për të jetësuar të drejtat e tyre” – tha Ramadani për Portalb,

Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2001 etnitetit shqiptar në Maqedoni u  janë kthyer disa të drejta elementare të cilat nuk i gëzonin me kushtetutën maqedonase të vitit 1991. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button