Përshkallëzohen luftimet në Siri

Forcat besnike të regjimit të presidentit Bashar al Assad rinisën bombardimet ajrore dhe me artileri të rëndë në rrethinat e Damaskut, qytetit të Alepos dhe të Daras. 

Lajmi njoftohet nga burime opozitare sipas të cilave vetëm ditën e enjte janë regjistruar 151 të vrarë, 66 prej të cilëve vetëm në rajonin e Damaskut.

Luftime të ashpra u raportuan edhe në Alepo, prej muajsh i shndërruar në shesh-betejën kryesore mes forcave të presidentit Assad dhe rebelëve për kontrollin e tij. Qyteti verior konsiderohet si një pikë strategjike në këto luftime dhe vendimtare për fatin e luftës civile që ka përfshirë vendin.

Pak ditë më parë, në një takim në Doha të Katarit, fraksionet e përçara opozitare vendosën të bashkohen në një udhëheqje të vetme. Organizmi i dalë nga kjo mbledhje u njoh menjëherë si përfaqësia e vetme legjitime e popullit sirian nga gjashtë vendet e Gjirit Persik, më pas nga Turqia, Franca dhe Britania e Madhe. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button