Gruevski në Tiranë, nënshkruhen marrëveshjet për bashkëpunim

Disa orë më parë, Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Gruevski u takua me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.

Pas intonimit të dy himneve të shteteve përkatëse, Kryeministri Berisha dhe homologu i tij maqedonas Gruevski kanë nisur takim kokë më kokë, i cili do të pasohet me bisedimet ndërmjet dy delegacioneve. 

Kryeministri Berisha dhe homologu maqedonas Gruevski nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet dy qeverive. Marrëveshja për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit dhe marrëveshja për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Trebisht-Xhepisht. 

Pas nënshkrimit të këtyre dy marrëveshjeve, dy Kyreministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp ku vlerësuan faktin se në fokus të bisedimeve të tyre ishte pikërisht thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat. Njëkohësisht palët kanë dhënë mbështetjen e tyre në proceset integruese të Maqedonisë dhe Shqipërisë. 

“Sapo përfunduam nënshkrimin e dy marrëveshjeve të rëndësishme. Kjo vizitë është kontribut i ri i rëndësishëm në marrëdheniet mes vendeve. Në takimin kokë më kokë por dhe ne atë me delegacionet respektove diskutuam gjërësisht për bashkëpunimin tonë të ngushtë në proceset integruese të dy vendeve. Jemi të mendimit se Mqedonia meriton plotësisht hapjen e negociatave. Ndërkohë që Maqedonia nga ana e saj mbështet integrimin e Shqipërisë në BE, si dhe sheh me interes hapat para në këtë drjetim”, vuri në dukje Kryeministri Berisha.  

Njëkohësisht, kreu i qeverisë shqiptare bëri me dije dhe lidhur me temat e trajtuara në këtë takim. 

“Diskutuam për intensifikimin e lidhjeve në çdo fushë, ramë dakord që të bëjmë përpjekje të përbashkëta për korridorin 8 për, për lidhjen e linjave të tensionit të larët. Për kompletimin në të dy anët respektove të Rrugës së Arbrit, atë të linjës hekurudhore. Qeveria shqiptare do të mbështesë interesin e Maqedonisë për projektin Transadriatik të gazit që vjen nga Azxerbajxhani. Diskutuam për bashkëpunimin në të gjitha fushat”, nënvizoi Berisha. 

Gjithashtu, Kryeministri Berisha ka falënderuar kryeministrin maqedonas për kohën që ka zgjedhur për të vizituar Shqipërinë pikërisht në këtë moment të rëndësishëm për vendin.  

Kryeministri i Maqedonisë duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares së NewsS24 në lidhje me zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, deklaroi se plagët janë ende të freskëta dhe dy vendet duhet të bëjnë kujdes që të mos lëndojnë ndjenjat e tjetrit. 

“Në vitin 2001 u ballafaquam me një konflikt që u kurorëzua me nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit. Kaluam një kohë të gjatë nga ky konflikt, por plagët e konfliktit janë të freskëta dhe të gjithë duhet të jemi të vëmendshëm të mos lëndojnë ndjenjat e palës tjetër. Me partnerit tonë të koalicionit BDI bëjmë përpjekje për të mbajtur komunikimin e mirë mes dy komuniteteve dhe në pjesën më të madhe e bëjmë në mënyrë të sukseshme. Por, edhe ne si të gjithë në Botë kemi mosmarrëveshje, por kemi marrëveshje që të gjithë problemet të zgjidhen me dialog”,- tha Gruevski. 
Në kuadër të kësaj vizite do të zhvillohet edhe Forumi i Bashkëpunimit Ekonomik Shqipëri-Maqedoni. Forumi do të përshëndet nga të dy kryeministrat, Berisha dhe Gruevski. Axhenda zyrtare e Kryeministrit Gruevski përfshin edhe takime me Presidentin e Republikës dhe Kryetaren e Parlamentit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button