Certifikimi i rezultatit zgjedhor në Kosovë, i varur nga ankesat e partive politike

Asnjë subjekt politik nuk i është drejtuar deri më tani Gjykatës Supreme të Kosovës, pas përfundimit të rinumërimit të 1407 vendvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Kështu ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci. Afati prej 24 orëve për ankesa skadon sot, njofton REL.

“Rinumërimi është përmbyllur në orën 14:00 të ditës së diel, prandaj duhet të presim afatin ligjor 24 orësh nëse ka ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR, para se të procedojmë me publikimin e rezultateve pas procesit të rinumërimit”, ka deklaruar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ndërkohë, në adresë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të dielën pas dite, ka arritur një ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas Mul Deskut, kryesues i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, shumë shpejt PZAP do të dalë me vendimin në lidhje me këto ankesa të Vetëvendosjes.

“Subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje ka kontestuar dy fletëvotime nga vendvotime të ndryshme”, tha Desku.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të dielën ka hedhur si të papranueshme një kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje për verifikim dhe rinumërim të 392 pakove me fletëvotime nga diaspora të ardhura në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve më 12 nëntor.

Pas vendimit të PZAP, Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtë të ankohet edhe në Gjykatën Supreme.

Edhe më herët, Lëvizja Vetëvendosje i ishte adresuar Gjykatës Supreme për votat e ardhura nga diaspora pas afatit të paraparë ligjor, pasi PZAP kishte hedhur poshtë ankesat për t’i numëruar të njëjtat. Supremja, në fund të muajit tetor, kishte urdhëruar KQZ-në që të numërojë dhe të fusë në rezultatin zgjedhor rreth 5 mijë vota të ardhura jashtë afatit ligjor (5 tetor, 2019) nga jashtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button