Holandë, shkatërrohet rrjeti i kokainës

Policia holandeze ka njoftuar se ka arrestuar 12 persona në një nga operacionet më të mëdha anti-drogë të zhvilluar në vitet e fundit. 

Të dyshuarit, nga Shtetet e Bashkuara, Kepi i Gjelbër dhe Holanda, akuzohen për trafik kokaine nga Karaibet përmes aeroportit Schiphol të Amstërdamit. 

Një zëdhënës i policisë ka deklaruar se grupi kriminal kishte në plan të bënte edhe disa vrasje dhe gjatë operacionit janë sekuestruar edhe sasi armësh. 

Arrestimet kanë qenë pjesë e një operacioni të shtrirë në mbarë vendin, ku janë përfshirë mbi 200 oficerë policie, saktëson zëdhënësi Robert Van Kapel. 

Sipas burimit, agjentët kanë bastisur shtëpi dhe biznese gjatë operacionit të zhvilluar në bashkëpunim mes policisë holandeze dhe zyrës së doganave dhe taksave. 

“Gjatë bastisjeve u sekuestruan sasi të mëdha kokaine dhe armësh. Rrjeti kriminal ndërkombëtar përdorte aeroportin Schiphol për të futur ilegalisht drogën”, ka deklaruar zëdhënësi Van Kapel. 

Kokaina mendohet se është trafikuar nga korrierë të cilët e gëlltisnin drogën, ose e fshihnin në valixhe të modifikuara, raporton ndërkohë korrespondentja e BBC në Holandë. 

Më herët gjatë muajit policia holandeze arrestoi 20 persona të tjerë të dyshuar si trafikantë kokaine po në aeroportin Schiphol. 

Ndërsa në mars, autoritetet aeroportuale konfiskuan 300 kilogramë kokainë që vinte nga Amerika e Jugut dhe ajo Qëndrore, që nga shpërndarja në rrugë do të sillte një fitim prej 12 milionë eurosh. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button