Holanda: Jo, statusit të vendit kandidat për Shqipërinë

Ambasadori i mbretërisë së Holandës në Tiranë, Martin De la Beij thotë se pozicioni i qeverisë holandeze nuk ka ndryshuar që prej letrës së 26 tetorit 2012 dërguar për Parlamentin holandez, letër e cila shpjegon opinionin në lidhje me Strategjinë e Zgjerimit që Komisioni Evropian bëri publike në 10 tetor 2012.

Holanda e mirëpret këtë raport dhe mbështet theksin e vënë nga Komisioni Evropian mbi rëndësinë e Shtetit të së Drejtës që diskutohet me të gjitha vendet që synojnë të bëhen anëtare

Raporti i progresit, thotë ambasadori De la Beij, përmban një analizë dhe vlerësim shumë të mirë dhe të detajuar për këto vende. Komisioni Evropian rekomandon që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat, me kushtin e plotësimit të masave të rëndësishme në fushën e reformës së gjyqësorit, reformës në administratën publike dhe rishikimit të rregullores dhe procedurave të Parlamentit.

Komisioni gjithashtu do të vlerësojë përpjekjet e mëtejshme të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në vijim të kësaj letre, ambasadori thekson se, Holanda është dhe mbetet një mbështetëse e fuqishme e politikave të BE-së për zgjerimin.

Edhe njëherë tjetër, në emër të qeverisë holandeze, ambasadori Martin de la Beij thekson se gjithsesi, bazuar në kriteret e Kopenhagenit, Holanda ka opinionin se Shqipëria nuk është ende gati për statusin e vendit kandidat.

“Holanda e vlerëson shumë atë ç’ka është bërë dhe arritur në këto një vit e gjysmë, si për shembull emërimi i Avokatit të Popullit, ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe ligjin mbi imunitetet”, thotë ambasadori De la Beij, për Top-Channel./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button