Saraçini dhe Malatinski nënshkruan Memorandum për bashkëpunim ekonomik

Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini sot ishte mysafir i ministrit sllovak të ekonomisë, Tomash Malatinski, me ç’rast dy ministrat nënshkruan Memorandum për bashkëpunim ekonomik midis Ministrive të ekonomisë së Maqedonisë dhe Sllovakisë, e që është një dokument ndërkombëtar me të cilin vendoset  bashkëpunim ndërmjet institucioneve shtetërore të të dy vendeve.

Teksti i Memorandumit është një bazë solide për promovimin dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit të përvojave në fushat që lidhen me procesin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian, mbi parimet e barazisë, përfitimit të përbashkët dhe reciprocitetit.

Objektivi kryesor i Memorandumit është që të krijojë kushte të favorshme për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, në veçanti përmes: lehtësimeve dhe mbështetjes së shkëmbimit dhe kontakteve në mes të  operatorëve të tyre ekonomikë, krijimi i një atmosfere të favorshme për investime, lehtësimin e  shkëmbimit të informacioneve afariste dhe ekonomike, lehtësimin e shkëmbimit të informacioneve që kanë të bëjnë me aktivitetet në tregun e brendshëm, duke përfshirë edhe “rregulla që kanë të bëjnë me mbrojtjen e konsumatorit, krijimin e një klime të favorshme për bashkëpunim në fushën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme  dhe zhvillimin e sipërmarrjes, si dhe bashkëpunimin dhe aktivitete në fushën e turizmit.

Në takim u ra dakord që takimi i parë i Komitetit të Përbashkët për bashkëpunimin ekonomik të mbahet në prill të vitit 2013, ndërsa janë definuar edhe fushat të cilave do tu jepet theks i veçantë në këtë takim: energjia, infrastruktura, turizmi, bujqësia dhe çështjet aktuale ekonomike. 

Duke pasur parasysh strukturën  mirë të zhvilluar për shfrytëzimin e mjeteve nga fondet evropiane, pala sllovake ftoi Maqedoninë për aplikim të përbashkët me projekte, me ç rast pjesëmarrja dhe shfrytëzimi në të dy anët do të ishte i barabartë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button