Ahmeti në Zvicër: Na duhet përkrahja e juaj!

Delegacioni i Bashkimit Demokratik për Integrim, i kryesuar nga kryetar Ali Ahmeti, ka mbajtur dje tubimin e parë me shqiptarët në qytetin e Cyrihut të Zvicrës. Në Zvicër jetojnë mbi 60.000 qytetarë nga Maqedonia, prej të cilëve shumica dërmuese janë shqiptarë.

Në fjalën e tij, kryetari Ahmeti theksoi që do të përpiqet gjithmonë që mos të zhgënjeje as të gjallët e as të rënët, si shokët e tij të luftës, ne veprimtarinë politike, sepse misioni jonë kërkon përkushtim.

” Pas vendosjes së Skënderbeut në Prishtinë, më quajtën ekstremist kur u zotova që Skënderbeun do ta sjellim edhe në Shkup. Nuk është ekstremizëm as të vendosësh Hasan Prishtinës mu në qendër të Shkupit, sepse ai luftoi edhe për lirinë e të gjithëve në Ballkan. Nuk është ekstremizëm as zyrtarizimi i Universitetit të Tetovës dhe shndërrimi i kazermave në fakultete, siç është rasti në Kërçovë”, tha Ahmeti.

Ai më tej shtoi se gjuha shqipe është në përdorim zyrtar edhe pse ka akoma nevojë për reflektim për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe në përputhje me Kushtetutën. Flamuri shqiptar është në përmasat Kushtetuese dhe i njëjti flamur që valon në Tiranë dhe në Prishtinë, valon edhe në Shkup.

“Këto vlera janë arritur me sakrifica, jo vetëm nga një gjeneratë, por nga shumë gjenerata tjera. Përmendore do të ngritën edhe për Pjetër Bogdanin, Josif Bagerin e Nexhati Agollin. Deri në vitin 2001, vetëm 170 shqiptarë kishte në policinë e Maqedonisë, sot janë mbi 2000. Nga 64 oficerë dhe nënoficerë në vitin 2001, sot janë mbi 2000. Nga 3 për qind administratë, sot kemi afër 20 për qind shqiptarë në administratë. Por, kemi edhe shumë punë për të bë, ne jemi përpjekë që shqiptarët ti nderojmë kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht. Ju kemi përfaqësuar me dinjitet. A kemi arritur shumë? Them që po, sepse akoma na kujtohen vitet e 90. Ne sot i dalim Zot vendit dhe Maqedonia është e jona sa është e Maqedonasve. Punët tona nuk kanë mbaruar, kemi nevojë edhe për zhvillim të ekonomisë, më tepër investime, hapje të vendeve të reja të punës ” theksoi lideri i BDI-së.

Kryetari Ahmeti gjithashtu u përqendrua rreth zgjedhjeve lokale të vitit 2013 dhe nevojës për mbështetje të përpjekjeve të BDI për të fituar komunat shqiptare në Maqedoni, me theks të veçantë në qytetet e Kërçovës dhe të Strugës. Ai theksoi që Kërçova, edhe pse e banuar me shumicë shqiptare, asnjëherë nuk ka patur rastin që të menaxhohet nga shqiptarët, por vitin e ardhshëm, shqiptarëve ju mundësohet që me pjesëmarrjen e tyre masive, të marrin në duart e tyre drejtimin e Kërçovës. Për këtë nevojitet një mobilizim dhe organizim i madh i mërgatës dhe kam besim që kërçovarët do t’i përgjigjën këtij provimi flakë për flakë sepse Kërçova është e jona./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button