Libri “Kryengritja e Dervish Carës” u promovua në USHT

Sot në Universitetin Shtetëror të Tetovës u promovua libri “Kryengritja e Dervish Carës”, i akademikut Aleksandar Matkovskit, përkthyer në gjuhën shqipe nga profesori i USHT-së, Prof. dr. Fatmir Sulejmani dhe i botuar nga ShB ,,Brezi 9”.

“Vetëm gjatë këtij viti kemi promovuar disa tituj librash po në këto ambiente, të autorëve të ndryshëm dhe nga fusha të ndryshme. Sot kemi rastin të jemi pjesëmarrës në një ngjarje kulturore pak sa më të veçantë, sepse bëhet fjalë për një libër i cili trajton një nga periudhat më të bujshme të historisë sonë kombëtare, dhe për një ngjarje për të cilën është shkruar dhe diskutuar shumë pak në historiografinë tonë”, tha në mes tjerash rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, duke e përgëzuar me këtë rast profesorin Fatmir Sulejmani për përkthimin, redaktimin dhe përgatitjet tjera për daljen në dritë të kësaj vepre.

Për rëndësinë e kësaj vepre, por edhe për veprimtarinë atdhetare të Dervish Carës, foli edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, z. Arben Çejku, i cili kryengritjen e këtij patrioti e vlerësoi si përpjekjen më të madhe çlirimtare të shqiptarëve, në shekullin XIX.

Prorektori për arsim i USHT-së, Doc. dr. Fehari Ramadani, theksoi se Kryengritja e Dervish Carës është njëra nga kryengritjet më të rëndësishme të fazës së parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila arriti të çlironte një pjesë të territorit shqiptar që ishte nën pushtimin osman. 

“Të shkruash një libër të tillë do të thotë t’i hedhësh poshtë tezat që mundohen të falsifikojnë të vërtetën historike, se pjesa myslimane e Maqedonisë janë turq dhe se shqiptarët ishin të përkëdhelurit e Portës së Lartë”, theksoi prorektori Ramadani, duke shtuar se libri nuk është botuar në gjuhën maqedonase për shkak të qëndrimit zyrtar që ka historiografia sllavo-maqedonase ndaj shqiptarëve. 
Ndërsa historiani Memli Krasniqi nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, tha se “ky libër hedh poshtë spekulimet e historiografisë sllave mbi karakterin e kryengritjes dhe udhëheqësit të saj”. 

Përkthyesi dhe botuesi i këtij libri, Dr. Fatmir Sulejmani, theksoi se me këtë libër ai hedh poshtë ato çfarë shkruan enciklopedia maqedonase për shqiptarët, veçmas ajo e Maqedonisë. “Në vitet 1843-1844, Kosova dhe trevat lindore shqiptare u bënë vatër e njërës prej kryengritjeve më të fuqishme kundërosmane të gjysmës së parë të shekullit XIX, e cila, sipas emrit të udhëheqësit të saj, është quajtur Kryengritja e Dervish Carës. Kjo kryengritje filloi në Shkup, më 21 korrik dhe u zgjerua më shumë në gusht të vitit 1843. Në nëntor kryengritësit çliruan Gostivarin, ndërsa në fillim të janarit 1844 çliruan Tetovën. Në shkurt 10 mijë kryengritës të armatosur hynë në Shkup, e çliruan atë, formuan këtu një këshill të kryengritjes dhe përqendruan pushtetin në duart e veta”, tha profesor Sulejmani. 

Kryengritja e Dervish Carës konsiderohet si përpjekja e parë, kur në vitin 1843 -1844 për trojet shqiptare u kërkua autonomi nga Perandoria Osmane.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button