BDI – PDSH, marrëveshje për të ndarë kulaçin

Gjithçka flet për një marrëveshje mes dy blloqeve më të mëdha shqiptare për zgjedhjet e ardhshme lokale në mars të vitit 2013. Pas mbështetjes të cilën zyrtarisht e deklaroi mbrëmë PDSH për kandidatin e BDI-së në Kërçovë, informatat nga terreni flasin për një thellim të bashkëpunimit mes këtyre dy subjekteve. Jozyrtarisht, seriozisht po punohet në ndarje të dy bastioneve shqiptare në Maqedoni, Tetovës dhe Gostivarit, mes këtyre dy partive.

BDI është e interesuar që të fitojë njërin nga këto dy qytete. Duke pas parasysh pozitën e fortë të cilën e gëzon PDSH në Tetovë, sytë e BDI-së janë kthyer nga Gostivari, qytet me të cilin udhëheq kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Rufi Osmani. Shifrat flasin se BDI mund të shpreson në sukses në Gostivar vetëm me përkrahje të PDSH-së. Si kompensim, PDSH do të kërkojë qytetin e Strugës, për të cilin ka kandiduar deputetin Ziadin Sela.
 
“Nëse realizohet një skenar i tillë, të dy partitë do të “ngopin” interesat e tyre politike, duke përforcuar pozitat si faktorë të vetëm politik shqiptar në Maqedoni” – vlerësojnë analistët.

Synimi kryesor i dy partive më të mëdha shqiptare do të jetë që përfundimisht të defaktorizojnë partinë e tretë shqiptare, RDK-në, duke i marrë asaj edhe Komunën e Gostivarit. Përveç kësaj, edhe në qytetet ku do të zhvillohet betejë etnike në zgjedhjet e ardhshme lokale, Kërçovën dhe Gostivarin, mbështetja e dy partive shqiptare do të koncentrohet në një kandidat, atë të PDSH-së në Strugë dhe të BDI-së në Kërçovë, duke u dhënë moral votuesve shqiptar që të dalin në zgjedhje në numër të konsiderueshëm, si parakusht që të eliminohet rreziku i humbjes së këtyre komunave. Edhe pse PDSH nuk ka një trup të konsiderueshëm votuesish në Kërçovë, megjithatë mbështetja e tyre për kandidatin e BDI-së është mesazh i mjaftueshëm sidomos për diasporën shqiptare, përkrahjen e së cilës BDI do ta kërkon duke filluar prej nesër, me një vizitë nga kreu i kësaj partie në disa shtete evropiane.
 
Si rezultat, të dy partitë do të fitojnë nga një qytet plus në listën e qyteteve të cilat i udhëheqin. BDI do të fiton Gostivarin në vend të Strugës dhe Kërçovën, PDSH do të mbajë Tetovën dhe do të fiton Strugën. Matematikat e tilla sillen në organet e të dy partive, edhe pse nga asnjëra nuk prononcohen zyrtarisht rreth kësaj çështjeje./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button