BDI nesër nis fushatën në diasporë

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti dhe delegacioni i tij gjatë ditës së nesërme dhe pasnesërme do të të qëndrojnë në Zvicër për t’u takuar me mërgatën shqiptare në disa qytete zvicerane dhe për të mbajtur takime të karakterit informativ për zgjedhjet lokale, të cilat pritet që të mbahen në vitin 2013.

Sipas parashikimeve të analistëve vota e mërgimtarëve do të vendosë nëse me komunën e Kërçovës do të udhëheqë shqiptar apo maqedonas.

Si pjesë e delegacionit të BDI-së  që do të udhëtojë në shtetin helvetik janë zëvendëskryeministri Musa Xhaferi, ministri i Mbrojtjes Fatmir Besimi,  i Pushtetit Lokal Nevzat Bejta, shefi i shtabit të BDI-së dhe ministri i Mjedisit të Jetesës dhe Planifikimit Hapsiror, Abdilaqim Ademi, kryetari i Çairit Izet Mexhiti, zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani, deputeti nga Struga Arben Llabënishti dhe kryetari i degës së Kërçovës Sheval Ceku.

Takimet do të mbahen nesër në Cyrih, kurse më 4 nëntor në Solloturn dhe Basel. Gjithashtu, ditë më parë nga mërgimtarët kërçovarë në Zvicër është themeluar edhe shtabi zgjedhor në të cilin përfshihen përfaqësuesit e të gjitha vendbanimeve të Kërçovës. Shtabi i diasporës në Zvicër i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të pritur delegacionin e BDI-së, të kryesuar nga Ali Ahmeti.

Ata në këtë rast janë shprehur të kënaqur për vizitën që do t’u bëjë kryetari Ahmeti dhe kanë paralajmëruar pjesëmarrje masive nëpër tubime.

Pas Zvicrës delegacioni i BDI-së do të organizojë tubime edhe në Gjermani, Austri dhe në Itali.

Kjo është hera e parë që kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti po bën fushatë elektorale në  diasporë, atje ku edhe e nisi përpara 25 viteve të organizonte lëvizjet kryengritëse, që në vitin 2001 të ndryshojë kushtetutën e Maqedonisë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button