Betejë për Kërçovën

Zgjedhjet lokale të vitit 2013 do të sjellin “betejë” të vërtetë zgjedhore mes dy komuniteteve më të mëdha etnike, palës shqiptare dhe maqedonase, në qytetet ku dallimi mes bashkësive etnike është i thekët, siç janë Struga dhe Kërçova. Në këto zgjedhje lokale në Komunën e Kërçovës shqiptarët për herë të parë do të jenë shumicë në letër, pas bashkëngjitjes së Zajazit dhe Osllomesë në komunën e Kërçovës.

Partitë maqedonase nuk e fshehin  faktin që mendojnë drejt një bashkëpunimi në këtë qytet, me qëllim që Kërçova të mbetet nën drejtimin e kuadrove maqedonase. Zëdhënësi i LSDM-së opozitare, Emilijan Stankoviq për Portalb bëri të ditur që ekzistojnë tendenca të një bashkëpunimi me VMRO-në, por vetëm rreth një kandidati jo partiak.

“Çështja e Kërçovës akoma nuk është hapur për diskutim në parti. As me VMRO-në nuk kemi kontaktuar rreth kësaj çështjeje. Megjithatë ne kemi thënë se jemi  të gatshëm të bisedojmë për kandidat të përbashkët në Kërçovë, por vetëm nëse pajtohemi rreth ndonjë kandidati mbipartiak. Në asnjë mënyrë nuk do të përkrahim kuadër të VMRO-së”  – tha Stankoviq.

Sipas të gjitha gjasave, edhe nga pala shqiptare do të ketë vetëm një kandidat në Kërçovë. RDK tashmë ka bërë të ditur se nuk do të kandidojnë kuadër të tyre në këtë qytet, përderisa PDSH akoma nuk është deklaruar zyrtarisht, por dihet që numri i votave që marrin ndër vite në këtë rajon është i ulët. Kështu që kandidat i vetëm serioz shqiptar do të jetë kandidati i BDI-së.

Por, përveç unifikimit të partive maqedonase, për shqiptarët problem tjetër është edhe numri i madh i qytetarëve të Kërçovës dhe rrethinës të cilët jetojnë në diasporë. Pikërisht për të sensibilizuar diasporën dhe mobilizimin e saj për ardhje në ditën e votimit, drejt Evropës do të udhëton një delegacion i lartë nga BDI, i udhëhequr nga vetë lideri i kësaj partie Ali Ahmeti. Përveç Ahmetit, në Evropë do të udhëtojnë edhe  zv kryeministri Musa Xhaferri, ministri i mbrojtjes Fatmir Besimi, ai i pushtetit lokal Nevzat Bejta, shefin e shtabit zgjedhor të BDI-së dhe ministrin e mjedisit Jetësor Abdylaqim Ademi, kryetari i Çairit dhe nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti, zëdhënësi Bujar Osmani, deputeti nga Struga Arben Llabënishti dhe kryetari i degës së Kërçovës Sheval Ceku.

Nga ajo që mësojmë, përveç fushatës që integristët po e fillojnë katër muaj para zgjedhjeve, ata do të organizojnë edhe udhëtime me aeroplanë e autobusë për mërgimtarët në prag të zgjedhjeve. Por, duke parë abstenimin e qytetarëve shqiptar të cilët jetojnë në Maqedoni, e që në vitin 2011 dolën në vendvotime në numër shumë të vogël, pritet të shihet se si BDI do të motivojë mërgimtarët që të vinë dhe të votojnë në Kërçovë./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button