Obama shpall gjendje katastrofe në New York (FOTO)

Uragani “Sandy”, tashmë i klasifikuar si stuhi tropikale vijon të shkaktojë dëme dhe viktima në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të paktën 26 persona rezultojnë të vdekur ne SHBA dhe një tjetër person ka vdekur në Kanada, si pasojë e motit tepër të keq. 

Bursa e Wall Street vijon të qëndrojë e mbyllur për shkak të kushteve të motit, hera e parë kjo që prej vitit 1888. Mendohet se dëmet e kësaj stuhije do të jenë mes 10 miliard dhe 20 miliardë dollarëve. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama ka shpallur gjendjen e katastrofës në New York.

Ndërkohë ka arritur deri në 4 metra uji në disa zona të caktuara në New York, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike. Pikërisht ky problem me energjinë ka shkaktuar edhe një zjarr të madh në Queens, që tashmë ka shkatërruar 50 shtëpi dhe ka lënduar dy persona. Po ashtu janë regjistruar dy vatra të tjera zjarri në Brooklyn, të cilat janë lokalizuar dhe janë vënë nën kontroll shpejt.

Rrugët e New York-ut janë mbushur me ujë dhe metrotë janë bllokuar keqazi, aq sa paniku dhe frika më e madhe është që për ditë të tëra qarkullimi në qytet do të jetë i paralizuar.Autoritetet thonë se do të duhen ndoshta edhe katër ditë që të eliminohet totalisht uji në metro. 

“Sandy” ka provokuar edhe një prishjen e një prej digave në veri të New Yersey-t, gjë që ka shkaktuar përmbytjet e qyteteve si Monachie, Little Ferry e Carlstadt, ku uji arrin deri në 1 metër.

“Sandy” prej mesnates se kaluar (me orën shqiptare) nuk u cilësua më si një një uragan, por një super stuhi tropikale me erëra të qëndrueshme prej 137 km/h.

Fuqia e tij u rrit ndjeshëm përgjatë rrugëtimit të tij shkatërrimtar, duke lënë pa energji elektrike rreth 758 milion banorë. Niveli i ujit arriti në shifra rekord në Manhatan.

Për shkak të Sandy-t autoritetet u detyruan të shpërngulin rreth 200 pacientë nga një spital në New York.

Ndërsa në Bellevue Hospital Center, kati i parë u përmbyt nga uji dhe energjia elektrike u ndërpre.Megjithatë situata u vu shpejt nën kontroll nga autoritetet dhe nuk paraqitet problem për asnjë prej pacientëve.

Stuhia goditi edhe Atlantic City mbrëmjen e së hënës. “Unë jetoj prej 16 vjetësh këtu, por ajo që kam parë këtë radhë është shokuese dhe e pabesueshme”, thotë pronari i një prej tavernave në AC. 

Ndërsa në lagjen e poshtme të Manhattani-t, Baterry Park uji ka përmbytur rrugët, duke thyer rekordin që shënoi Uragani “Donna” që goditi zonën në vitin 1960. Zona tashmë është krejtësisht e bllokuar, shkollat e janë të mbyllura dhe popullsia është evakuuar prej drekës së të hënës.

Përmbytjet shkaktuan edhe mbylljen e tre aerporteve të zonës LaGuardia, John F. Kennedy dhe Newark Liberty. Uji ka hyrë edhe nëpër tunelet që lidhin zonën e poshtme të Manhattan-it dhe Brooklyn, ndërsa era ka shkaktuar edhe probleme në një ndërtesë ku po kryheshin punime.

Kryebashkiaku i New York Michael Bloomberg tha për mediat se ka një sasi të madhe uji në zonën e poshtme të Manhattani-t, ndërsa dhjetëra pemë janë shkulur nga vendi duke sjellë bllokimin ë rrugëve. 

“Ne e dinim që do të ishte një stuhi shumë e rrezikshme dhe ndodhi ajo që ne prisnim. Më e keqja ndodhi dhe qyteti tani po ndjen pasojat”, tha Bloomberg duke shtuar si “Sandy” ishte stuhia me e madhe qe ka goditur ndonjehere New York-un.   “Sandy” përputhet me hënën e plotë, që sjell dhe batica më të mëdha. “Sandy” ka vrarë me heret edhe 69 persona, 52 prej të cilëve në Haiti, pasi kaloi nëpër Karaibe javën e kaluar./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button