Shqiptarët në administratë, as gjysma e gjysmës

Afërsisht 1/4 e të gjithë të punësuarve në administratën shtetërore janë të bashkësive jo shumicë  tregojnë të dhënat e fundit të raportit të Komisionit Evropian. Kjo do të thotë se në këtë përqidnje përfshihen shqiptarët, boshnjakët, serbët, romët, dhe turqit, përkundër të punësuarve maqedonas të cilët zotërojnë pjesën më të madhe të punësimeve.

Partia shqiptare në pushtet thotë se po punën në drejtim të rritjes së numrit të shqiptarëve në institucionet publike ndërsa opozita akuzon se në realitet vazhdimisht rritet numri i të punësuarve maqedonas.
 
 “Prej vitit 2003 deri në vitin 2011 papunësia te shqiptarët është ulur simbolikisht, nga 81.000 të papunë, në 79.000, përderisa te pala maqedonase kemi zvogëlim prej mbi 56.000 personave” – thotë deputeti i RDK-së Izet Zeqiri.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Muhamet Hoxha nuk përmend shifra, me theksin se do të ndërmerren masa konkrete.

“Për momentin nuk mund të flasim me shifra konkrete, është shënuar progres për sa i përket implementimit të MKO-së, përkatësisht pjesës së përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, edhe në këtë  drejtim edhe në të ardhmen merren masa konkrete. Do të kisha përmendur këtu edhe Programin për përfaqësim të drejtë që Qeveria e miraton çdo ditë, edhe në janar të këtë viti ka miratuar, dhe parasheh punësimin e një numri të caktuar të nëpunësve shtetëror dhe atyre publik me qëllim që të përmirëson përfaqësimin e drejtë dhe adekuat” – tha  Hoxha për Portalb.

Të dhënat e Avokatit të Popullit në Raportin e fundit vjetor tregojnë se deri në vitin 2011 ka pasur gjithsej 102.103 të punësuar në administratën shtetërore, nga të cilat vetëm 17.598, respektivisht 17,2 % shqiptarë.

“Edhe pse në përgjithësi është konstatuar përparim, përfaqësimi i pjesëtarëve të të gjitha bashkësive edhe më tej nuk është në nivelin e nevojshëm. Parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat nuk zbatohet në mënyrë konsekuente sa u përket vendeve udhëheqëse të punës” – shkruhet në Raportin e fundit të Avokatit të Popullit.

Përpos që nuk janë të përfaqësuar si duhet, shqiptarët kanë problem edhe me kuadrot kualitative. Vite me radhë theksohet se shërbimet nuk janë në nivel të duhur, pikërisht nga përgatitja e dobët e administratës.

“Të respektohet principi i rekrutimit sipas meritës dhe të sigurohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në administratën publike” shkruhet dhe përsëritet vite me radhë në raportin Komisioni Evropian.

Lajme të ngjashme

Back to top button