Për rritje të natalitetit, të sigurohen punësime e jo apele!

Thirrjet e kryeministrit Gruevski për rritjen e natalitetit, sipas ekspertëve, nuk janë të mjaftueshme për ndryshim të statistikave dhe zgjidhje të problemeve demografike. Sociologët thonë se në një vend ku niveli i papunësisë është në shkallë të lartë dhe të rinjtë hamenden për të krijuar familje për shkak të frikës se nuk do të kenë mjete të mjaftueshme të mbijetojnë, fushatat për lindjen e fëmijëve nuk ndihmojnë.

“Duhet të krijohen mundësitë elementare në sferën materiale dhe kjo do të thotë punësime, përkrahje të grave të cilat kanë lindur fëmijë dhe masa tjera të politikës sociale, dhe ajo që ndahet nga korniza e buxhetit duhet të definohet në mënyrë të qartë dhe precize”, thotë profesori universitar, Ilija Aceski për REL.

Fakti që vendi ka nivel të ulët të natalitetit është rezultat i politikave të gabueshme gjatë viteve të fundit, thotë Aceski, i cili thekson nevojën për një politikë të fuqishme demografike  dhe masa të politikës sociale të cilat me të vërtetë do të japin rezultate.

Askush nuk mund t’ju shtyjë të bëni familje  me shumë fëmijë në një shtet ku të rinjtë nuk kanë punë, shprehet profesor Arsim Sinani.

“Më mirë do të ishte në qoftë se në vend se të investohet në ndërtimin e përmendoreve, të investohej tek të rinjtë, në universitete, në hapjen e vendeve të reja të punës, me qëllim që të rinjtë të kenë më shumë perspektivë. Me këto kushte mendoj se të rinjtë nuk kanë shumë perspektivë dhe se askush nuk do të guxonte të ketë më shumë se një apo dy fëmijë”, shprehet Sinani për Radio Evropa e lirë.

Apelet e kryeministrit kanë dimension populist, ndërsa thirrjet dhe fushatat e tilla nuk i japin rezultatet e duhura, theksojnë sociologët.

“Të gjitha këto apele kanë një afat të shkurtër, ato janë më shumë në formë të politikave ditore, po afrohen zgjedhjet e kështu me radhë, dhe e gjithë kjo po e humb kuptimin elementar të cilin duhet ta ketë në këto rrethana”, tha Aceski.

“Planifikimi i familjes veç më është në duart  kryeministrit ose të ndonjë nga ministrat. Një thirrje e tillë nuk mund të arrijë asnjë efekt”, deklaroi Sinani.

Në vend ekziston një mos baraspeshë demografike e bashkësive të caktuara etnike. Dhe pikërisht për këtë arsye duhet të kihet kujdes kur qytetarëve u drejtohet me thirrje të tilla. 
Kryeministri Gruevski, në fjalimin e tij me rastin e ditës së VMRO-së porositi që vendi po ballafaqohet me një recesion demografik i cili po na çon në zhdukje. Ai theksoi se numri aktual i lindjeve është i pamjaftueshëm për të ruajtur popullsinë e Maqedonisë, duke i porositur nënat e ardhshme që të përkushtohen sa më shumë në lindjen e fëmijëve./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button