Luftëtarët e pushkës apo të dijes dhe pendës

Arena politike e Kosovës  ishte një fushëbetejë e luftës jo vetëm të figurave politike të partive politike, por edhe e ballafaqimit të koncepteve filozofike të jetës shoqërore në përgjithësi.

Nga njëra anë ishin perfaqësuesit e luftëtarëve të pushkës të cilët në sajë të kontributit dhe gatishmërisë së sakrificës edhe të jetës individuale dhe familjare u shpërblyen anekënd trojeve shqiptare, si kushtrim i mesazhit të një populli të robëruar dhe piskamës së tyre për liri nga prangat e mëparshme shekullore të robërisë kombëtare.

Një popull i robëruar dhe i persekutuar doemos t’i shpërblejë ata që u ngritën në luftë në emrin e tij për liri kombëtare dhe ishte më se e natyrshme që këta t’i shijonin të parët frytet e kontributit të dhënë, por këta për fat të keq e harruan faktin më të rëndësishëm: se arma më e fuqishme e një kombi është dija dhe harruan se nuk mjaftonte vetëm guximi dhe vullneti i mirë për të kryer punën me slloganin “ne që fituam me luftë, do të dijmë të fitojme edhe me laps”, pasi që përvoja dhe përgatitja ushtarake është vetëm një segment i dijes univerzale, e cila vjen ne shprehje në kohë të luftës por jo edhe të paqes.

Uzurpimi i të gjithë hapësirës politike në emër të viktimave të luftës dhe anashkalimi i luftëtarëve të lapsit dhe dijes, edhe në Maqedoni, na solli në situatën e humbjes në tavolinë të fitoreve të luftës, pikërisht në sajë të mungesës së luftëtarëve të dijes profesionale juridike dhe ekonomike, gjegjësisht të ndërtimit dhe funkcionimit të institucioneve shtetërore dhe publike.

Narcisizmi individual dhe euforia e fitimtarit të pakontestuar mbizotëruan kundrejt nevojës së mobilizimit të të gjitha forcave nacionale në drejtim të jetësimit të rezultateve të luftës, të cilat për fat të keq u humbën gjatë rrugës, si nga pakujdesia ashtu edhe nga paaftësia e përfaqësuesve të politikës shqiptarë, të cilët u verbuan nga privilegjet e pushtetit, dhe i harruan pergjegjësitë e marra përsipër, madje akoma me këq, e mashtronin veten edhe të tjerët, se punët shkonin mirë, se pjesa më e madhe e punës është përfunduar dhe se gjoja ka mbetur edhe pak dhe floskula të ngjashme, me çka dolën jashtë binarëve të politikës kombëtare dhe përfunduan  pa dashjen e tyre duke u shërbyer edhe interesave të huaja, të cilët nga ana tjetër, për këto shërbime aq fort i përkrahin dhe i favorizojnë, sikur të ishin shokët e tyre më të mirë të idealit dhe të luftës së përbashkët, për sundimin e të tjerëve.

Nje dukuri e ngjashme, edhepse në një atmosferë më të volitshme politike,  mbizotëroi me dekada edhe në jetën e përditshme të politikës kombetare në Kosovën e pasluftës. Euforia e heronjve të luftës ia errësoi sytë dhe të pamurit qytetarit të thjeshtë, i cili i harroi për një kohë, luftëtarët e deridjeshëm të dijes dhe pendës të inteligjencies universitare, të cilët e trasuan rrugën dhe terrenin me anë të sensibilitimit të opinionit të brendshëm dhe të jashtëm për nevojën e krijimit të një shteti të pavarur dhe neutral, jashtë ndikimit të pushtuesve të deridjeshëm.

Kompromiset e bëra në emër të gjoja moshidhërimit të aleatëve dhe “padronëve” tanë amerikanë dhe europianë, edhepse me një terren të pastër politik, ia ngatërruan dhe trullosen me decenie mendjen, qytetarit të thjeshtë dhe të painformuar në detaje, dhe u zhytën kështu në rrethin vicioz të vetëmashtrimit dhe vetëmjaftimit, sa që rrezikuan edhe ardhmërinë politikë të shtetit më të ri por edhe më të brishtë në Ballkan.

Edhe këta heronj të luftës u dashuruan në vete dhe i uzurpuan të gjitha poret e jetës, duke menduar se u mjaftonte vetëm trupi dhe gjoksi i stërvituar ushtarak, por jo edhe truri kombëtar si udhërrëfyesi më i besueshëm i hapërimit të sigurtë të një populli. Ata e harruan faktin se lufta me librin dhe lapsin është më e vështirë, se edhe kjo luftë kërkon vendoshmërinë dhe sakrificën e vet të vetëmohimit të rehatisë fizike dhe psiqike në emër të arritjes së një ideali më të madh, të marrjes mbi supe të liçences jo vetëm për të shpëtuar nga puna e lodhshme fizike, por edhe për të fituar të drejtën e misionarit të arsimit dhe edukimit të brezave të rinj dhe të organizimit dhe ngritjes së mekanizmave të ndërtimit dhe funkcionimit të aparatit shtetëror dhe të insticuioneve publike që merren me sendërtimin e politikave ekonomike dhe të interesave publike në përgjithësi.

Mospërfillja dhe përbuzja e tyre e kishte koston e vet, por lufta e përditshme e palës tjetër për bindjen e të rinjve dhe qytetarëve se ata meritonin më shumë, rezultoi me ndërrimin e prioriteteve të popullit. Tashmë edhe atij iu mbush mendja se nuk mjafton vetëm epika por duhet edhe praktika e realizimit të idealeve, dhe më në fund ua dha shansin edhe këtyre luftëtarëve të guximit dhe dijes, që nuk u mjaftuan me atë që ua servonin të tjerët por kërkuan që fatin ta marrin vetë në duar, pra të “vendosin vetë” për ardhmërinë e tyre, pa u ndikuar dhe pa u frikësuar nga askush.

Ashtu edhe ndodhi. Fituan ata që dje qëllimisht i etiketonin si radikalë, të rrezikshëm për prishjen e marrëdhënieve të mira me vëllezërit tanë amerikanë dhe europianë, por që koha e dëshmoi se kjo ishte vetëm një floskulë e rrejshme, sepse sovranin e respektojnë sidomos ata që janë vetë përfaqësues të sovranit, dhe të parët i uruan të gjithë për pjekurinë politike në organizimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Teoria politike bazohet në vullnetin e sovranit dhe përfaqësuesit e tij janë hiç më pak se shërbetorë të tij. Kush e harron këtë e pëson herët a vonë nga po ai sovran, që dje ia kishte dhenë besimin të fliste në emrin e tij.

Urojmë që piskama e këtij ndryshimi të dëgjohet edhe në pjesën e mbetur të sovranit jashtë kufirit, por njëkohësisht urojmë që politikanët e partive opozitare shqiptare, ta kuptojnë drejt mesazhin e kësaj jehone-se asgjë nuk vjen vetë dhe vetvetiu, se duhet punuar fort dhe me vendosmëri edhe për koncepte që në shikim të parë duken të paarritshme, por që dalin të realizueshme, si psh. e drejta e sovranit për vetëvendosje që ishte postulati kryesor i krijimit të shteteve kombëtare anekënd botës, dhe asnjë shtet apo union shtetesh nuk ka të drejtë t’ia mohojë tjetrit atë që e ka fituar vetë me shumë mund dhe sakrifica gjatë historisë.

Kush e kupton drejt këtë mesazh ka ardhmëri politike në arenën dhe skenën politike shqiptare në Maqedoni. Simpatia momentale e qytetarëve shqiptarë këndej kufirit do të venitet shumë shpejt, nëse politika shqiptare nuk e kap momentumin politik dhe nevojën e rishqyrtimit te objektivave të saj, në drejtim të përshtatjes dhe përafrimit të programeve politike, në drejtim të ngritjes cilësore të objektivave politike, pa kalkuluar fare për keqkuptimin eventual nga faktori i jashtëm dhe i brendshëm.

Levizja Vetëvendosje ishte ndryshe nga të tjerët në Kosovë dhe punoi zellshëm për të fituar besimin e popullatës. “Lëvizjet” tona që i kane hapur dyert për intelektualët duhet ta dëshmojnë besimin me ofertat e tyre politike për “ridefinimin” rrënjësor të konceptit të shtetit nga njënacional në binacional, nëse duan të bëjnë diferencën, nëse nuk duan që nesër dikush tjetër, të vijë në mes të Shkupit dhe të kërkojë të drejtën legjitime kombëtare për vetëvendosje me anë te mjeteve demokratike dhe te padhunshme.

Sidoqoftë, vijnë kohëra të mira për shqiptaret e Maqedonisë dhe urojmë që dikush të dijë ta menaxhojë këtë disponim dhe atmosferë të volitshme për ndërrimin e pushtetit.

Sa më shpejt, aq më mirë, sa nuk është krejtësisht vonë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button