Në Maqedoni lulëzon korrupsioni

Përpos aferave të ndryshme që kanë përcjellë sferën e furnizimeve publike viteve të fundit në Maqedoni, “nami i zi” i kësaj sfere është edhe vërejtje zyrtare në Raportin e fundit të Komisionit Evropian. Korrupsioni, marrëveshjet sy me sy, mos respektimi i procedurave, kontroll i dobët i brendshëm dhe shumë pak padi penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare në furnizimet publike, janë vetëm një pjesë e vërejtjeve të cilat përsëriten gati çdo vit.

Sipas Raportit, problem serioz mbetet korrupsioni në furnizimet publike. KE rekomandon që të përmirësohet legjislacioni ekzistues në këtë sferë për të zvogëluar rrezikun e korrupsionit dhe për të ngritur nivelin e transparencës. Sipas tyre mbetet i dobët kontrolli i brendshëm në nivel qendror dhe lokal të administratës, ndërsa potencojnë si të vogël numrin e procedurave penale për keqpërdorim në furnizimet publike.

Është fakt se askush nuk ndjek si harxhohen paratë publike ndërsa Parlamenti ka dy vite që ka ndaluar diskutimin publik për raportet e Entit shtetëror për revizion, institucion shtetëror ky i vetëm që konstaton shkelje të rënda. Por edhe përpos këtyre konstatimeve,  indikativ është fakti se të rralla kanë qenë rastet kur është ngritur procedurë penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kuadër të furnizimeve publike.

“Elementet korruptive sot në Maqedoni kanë trend të rritjes edhe pse u formua Komisioni shtetëror kundër korrupsionet dhe u definuan njëmbëdhjetë shtyllat e luftës kundër korrupsionit të cilat paraqiten edhe si bartës kryesor të luftës kundër korrupsionit edhe atë: organet ligjvënëse  dhe ekzekutive;  organet Gjyqësore; Prokuroria dhe policia; Organet publike; Revizori kryesor shtetëror; Agjencionet për mbikëqyrje dhe kontroll ;Avokati publik; Mediumet dhe sektori civil“ – tha Izet Zeqiri, deputet i RDK-së opozitare.

Sipas tij, pikërisht në këto shtylla korrupsioni është në brezin kritik, gjë që pamundëson luftë efektive kundër korrupsionit, ndërsa element tjetër kyç është edhe forcimi i vetëdijes shoqërore për vlera themelore të një shoqërie demokratike.

 „Nëse analizojmë situatën pikërisht në këto shtylla dhe politikën  tyre kundër korrupsionit do të vinë në përfundim se situata në këto shtylla është në brezin kritik të korrupsionit dhe me pa mundësi për të mundur që ti shpallin luftë të hapur korrupsionit. Krahas luftës kundër korrupsionit në këto shtylla duhet që të punohet edhe në drejtim të forcimit të vetëdijes për vlerat themelore shoqërore si parakusht për ndërtimin e e një shoqërie demokratike“ – thotë Zeqiri.

Edhe sipas raporteve të Entit shtetëror për revizion dhe vlerësimit të ekspertëve, mënyrat se si manipulohet me paratë publike janë të ndryshme: duke filluar nga Kontratat në katër sy me shtim të anekseve që shumëfish i rrisin çmimet e shërbimeve, kritere që favorizojnë ndonjërën prej kompanive, anulim të procedurave në rrethana të dyshimta.

Por, përderisa nuk ka dënime reale për shkelësit  e ligjeve të cilët me gjasë janë pjesëtarë të rëndësishëm në krijimin e politikave të vendit, atëherë, vërejtjet për keqpërdorim të furnizimeve publike dhe kurdisje të tenderëve për qëllime të ngushta politike, partiake e personale do të mbeten dyshime, vërejtje raportesh, shkrime gazetarësh e akuza parazgjedhore./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button