Fushata në Kosovë, për 9 ditë partitë shpenzuan mbi 2 milionë euro

Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV) thotë se ende mbetet relativisht i lartë, me 18 për qind, numri i aktiviteteve zgjedhore të subjekteve politike të cilat nuk janë paralajmëruar në Komisionet Zgjedhore Komunale (KKZ), raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas DnV-së, e cila mbajti konferencë lidhur me mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore, tha se “paralajmërimi me kohë i aktiviteteve zgjedhore të subjekteve politike në KKZ, mundëson informim më të drejtë të qytetarëve mbi programet zgjedhore të subjekteve politike, mbarëvajtje të këtyre aktiviteteve, si dhe rritë transparencën e procesit zgjedhor”.

Gjatë tre ditëve të fundit, në fokus të mesazheve elektorale, sipas DnV-së, kanë qenë tre sektorë: arsimi, ekonomia dhe shëndetësia. Temat të cilat kanë marrë më pak vëmendje, përkundër rëndësisë së tyre, kanë qenë energjia dhe administrata.

“Pjesëmarrja e grave kandidate si folëse në aktivitete të fushatës zgjedhore vazhdon të mbetet nën kufirin e kuotës gjinore prej 30 për qind. Në tre ditët e fundit të fushatës vetëm 22 për qind e folësve ishin gra, pavarësisht normave ligjore dhe kushtetuese të cilat garantojnë barazi gjinore në jetën publike dhe institucionale”, tha Florent Spahia, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI).

Në raport me shkeljet e rregullativës për zgjedhje, DnV gjatë 9 ditëve të monitorimit të fushatës ka dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) 23 ankesa, prej të cilat 13 janë miratuar, 2 janë refuzuar dhe 8 të tjera janë në shqyrtim. Gjobat të cilat janë shqiptuar për subjektet politike lidhur me 13 ankesat e miratuara kapin shumën prej 60.650 euro.

Përfaqësuesi i “Transparency International” nga Republika Çeke, David Ondraçka, deklaroi se votuesit duhet të dinë se kush po financon partitë dhe kandidatët që po garojnë. “Ata duhet ta dinë atë para zgjedhjeve që më pas të mund të marrin një vendim kur janë të informuar. Ky është standardi evropian sot”, ka thënë Ondraçka.

Vëzhguesit e DnV-së kanë vazhduar me monitorimin e shpenzimeve që subjektet politike kanë bërë për aktivitetet e tyre në fushatë. Edhe gjatë ditës së shtatë, tetë dhe nëntë të fushatës, sipas raportimeve nga vëzhguesit e DnV-së, subjektet politike kanë shpenzuar rreth 535.181 euro në aktivitete partiake.

Kjo e çon vlerën e përgjithshme të shpenzuar në aktivitete zgjedhore deri në ditën e nëntë në 2 milionë e 125 mijë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button