Kosovë, I pret Ashton

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, do të presë të premten në takime të ndara në Bruksel, kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic.

Për takimet ka njoftuar Maja Kocijancic, zëdhënëse e Baroneshës Ashton, në njoftim urgjent të enjten mbrëma.

“Përfaqësuesja e Lartë, Catherine Ashton do të ketë takim nesër (e premte) në Bruksel me Kryeministrin Dacic. Ajo do të ketë edhe një takim me Kryeministrin Thaçi. Qëllimi i takimeve është që të diskutohet rruga përpara e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhej në njoftimin e Zëdhënëses Maja Kocijancic.

Pavarësisht njoftimit paksa të paqartë, burime të gazetës “Express” në Bruksel kanë bërë të ditur se Ashton do t’i takojë ndaras Thaçin dhe Daçiçin.

“Në këtë fazë do të ketë takime të ndara”, ka thënë burimi i gazetës “Express”.

Takimet e fundit të nivelit të lartë të Ashton me zyrtarë kosovarë dhe serbë kanë ndodhur në fund të shtatorit në New York.

Përveç zyrtarëve evropianë, për takimet në Bruksel ka folur edhe Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic i cili ka thënë se Beogradi nuk ik nga bisedimet, por nuk dëshiron që përmes tyre të verifikohet pavarësia e Kosovës.

“Jemi të gatshëm për bisedime me përfaqësuesit e BE-së, institucionet e përkohshme të Prishtinës, por insistojmë në atë që të mos ketë takime të fshehta. Nuk dua që të fsheh asgjë, gjithçka që do të bëjmë do ta bëjmë në mënyrë publike”, ka thënë Dacic.

Ai ka theksuar se Serbia po i vazhdon bisedimet në një situatë të vështirë të kushtëzimeve nga Bashkimi Evropian.

“Duam një dialog neutral karshi statusit, nuk vjen në shprehje që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës për shkak të datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Për të gjitha çështjet tjera jemi të gatshëm për të biseduar”, ka thënë Daçiç.

Ashton do të presë Thaçin dhe Daçiçin një ditë pasi Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën që i jep dritë jeshile Qeverisë së Kosovës për të hyrë në bisedime me Beogradin.

Pavarësisht se rezoluta e Kuvendit të Kosovës flet për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ende nuk dihet se çka do të diskutohet në procesin e bisedimeve.

Kohë më parë kryeministri i Serbisë kishte deklaruar se edhe Brukseli i ka gjërat e paqarta për çështjen e dialogut. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button