Rritet bindja se Irani qëndron prapa sulmeve në Arabinë Saudite

Udhëheqësit e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë i mbështetën Shtetet e Bashkuara në vlerësimin e tyre se Irani është fajtor për sulmet në rafineritë e naftës në Arabinë Saudite dhe i bënë thirrje Teheranit që të zgjedhë dialogun në vend të “provokimeve”, njofton REL.

“Është e qartë për ne se Irani mban përgjegjësinë për sulmet me dronë dhe raketa në dy objekte të naftës”, thanë përmes një deklarate të përbashkët kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

“Nuk ka asnjë shpjegim tjetër të arsyeshëm”, thanë ata në margjina të Asamblesë së Përgjitshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, i hodhi poshtë akuzat, duke thënë se tre liderët evropianë “po i përsërisin pretendimet absurde të SHBA-së”.

Irani e ka mohuar përfshirjen në sulmet e 14 shtatorit në Arabinë Saudite.

Përgjegjësinë për to e kanë marrë rebelët Huthi në Jemen, të cilët janë të lidhur me Iranin dhe luftojnë një koalicion të udhëhequr nga Arabia Saudite në luftën e Jemenit.

Uashingtoni ka thënë se nuk do konflikt të armatosur me Iranin, porse të gjitha opsionet mbeten në tavolinë për t’iu përgjigjur përfshirjes së dyshuar të Teheranit në sulme.

Irani e ka paralajmëruar SHBA-në se çdo sulm mund të çojë në luftë të gjerë.

Trump, më 20 shtator, autorizoi një rritje “të moderuar” të pranisë së forcave amerikane në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button