Ligji për shpifje rrezikon të kalojë pa debat publik

Propozim-ligji për përgjegjësi qytetare për ofendim dhe shpifje që ditëve të fundit është kontestuar shumë nga sektori civil, posaçërisht nga komuniteti i Internetit, duhet të tërhiqet sepse në vete mban dispozita jokualitatvive dhe në kundërshtim me lirinë e shprehjes. Këtë e ka kërkuar sot opozita maqedonase në Komisionin ligjvënës juridik duke theksuar se nevojitet të përgatitet tekst ligjor me kualitativ dhe të miratohet me konsensus.

Vërejtja kryesore e opozitës ishte dëshmimi i vërtetësisë së lajmit nga ana e të dyja palëve, si nga i padituri ashtu edhe nga paditësi, përderisa në Propozim Ligj, konform edhe përvojave nga shtetet tjera, propozohet që vërtetësisë ta propozojë vetëm i padituri, përveç nëse paditësi nuk mban funksion publik.

“Edhe një herë apeloj deri te shumica qeverisëse, tërhiqeni këtë Propozim Ligj, të japim edhe një afat dhe përmes debatit publik të përmirësojmë tekstin dhe ta sjellim me konsensus sepse dekriminalizimi i shpifjes dhe ofendimit nuk duhet të jetë i lidhur me qeverisjen e njërës garniturë apo tjetrës” – tha deputeti i LSDM-së Emilian Stankoviq.

Por në këtë është përgjigjur zëvendës ministrja e drejtësisë Biljana Brishkovska Boshkovski duke theksuar se gjatë përpilimit të ligjit janë bazuar në dokumentet e Këshillit të Evropës gjegjësisht në dokumentin 11-305 nga viti 2007 me titull “drejt dekriminalizimit të shpifjes”.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka qenë bashkë-përpilues i propozim ligjit dhe sipas kryetarit të saj, Naser Selmani ligji në parim është i mirë dhe duhet të sillet, por kanë katër vërejtje për tekstin ligjor të dala nga debati publik me gazetarët.

“E paqartë është se si gjyqi do të shqiptojë masa të përkohshme pa mos i dhënë mundësi autorit të deklaratës ose eventualisht të dorëzojë dëshmi për vërtetësinë e deklaratës. Me këtë, vihet në pozitë të pabarabartë autori i deklaratës. Paditësi ka të drejtë të kërkojë masa të përkohshme gjyqësore për deklaratë shpifëse ndërsa autorit, kjo e drejtë nuk i mundësohet” – tha Selmani. 

Mirëpo, sa do të merren parasysh këto vërejtje do të shihet në ditët në vijim.

Sa i përket nenit 11, gjegjësisht përgjegjësinë e provajderëve dhe mos saktësimin dhe definimin e tyre ashtu siç duhet, Selmani thekson se për këtë çështje duhet të merret bazë Direktiva e BE-së.

“Përgjegjësi mund të parashihet vetëm kur provajderi ka qenë i vetëdijshëm për aktivitetet dhe informacionet e dëmshme, por nuk ka marrë masa urgjente për shmangien e tyre. Nga ana tjetër, shfrytëzuesit e shërbimeve janë të liruar nga përgjegjësia kur janë nën kompetencë ose kontroll të provajderit” – tha Selmani.

Javën e kaluar shumica e internet portaleve, mes të cilave edhe Portalb, në shenjë proteste dhe vërejtje për nenet e Propozim Ligjit, mbanë për 24 orë ekranin e errët, si shenjë demonstrimi se si do të duket interneti nëse miratohen këto nene që qojnë në auto-censurë.

Edhe Raporti i fundit i Komisionit Evropian shpreh shqetësim për mos pluralizmin dhe auto-censurën në mediat e Republikës së Maqedonisë. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button