Kina ankohet në OBT për tarifat e SHBA-së
Kina u ankua në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), për shkak të tarifave të reja që u kanë vënë Shtetet e Bashkuara mallrave kineze, njofton REL.
SHBA-ja nisi të dielën me aplikimin e taksës 15% mbi mallra të ndryshme kineze, ndërsa Kina u përgjigj me tarifa të reja mbi naftën e papërpunuar amerikane.
Këta janë hapat e fundit në luftën tregtare midis dy vendeve.
Kina nuk dha detaje se çfarë përmban ankesa e saj, por tha se tarifat e SHBA-së prekin 300 miliardë dollarë të eksporteve kineze.
“Veprimet e fundit tarifore shkelin konsensusin e arritur nga udhëheqësit e Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në një takim në Osaka”, tha përmes një deklarate Ministria e Tregtisë e Kinës.
“Kina do t’i mbrojë të drejtat e saj ligjore në përputhje me rregullat e OBT-së”, tha ajo.
Ankesa është e treta e tillë e Pekinit në OBT – organizatë ndërkombëtare që i kufizon tarifat që secili vend lejohet t’i vendosë.
Zyrtarët e SHBA-së thonë se po e penalizojnë Kinën për vjedhje të pronës intelektuale, që nuk është e përfshirë në rregullat e OBT-së.
Megjithëse, shumë ekspertë të tregtisë thonë se çdo rritje e tarifave mbi maksimumin e lejuar duhet të justifikohet në OBT.