Nishani viziton ish-të përndjekurit: Mos rrezikoni jetën

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, priti sot në një takim një përfaqësi të grevistëve ish-të përndjekur politikë dhe dëgjoi me vëmendje kërkesat e tyre. Në këtë takim, Presidenti Nishani shprehu respektin ndaj institucionit të grevës si institucion i të drejtës së fjalës. 

Kreu i Shtetit shprehu vlerësimin për kontributin e pazëvendësueshëm që shtresa e ish-të përndjekurve politikë ka dhënë në historinë e Shqipërisë, në ardhjen e demokracisë si dhe kontributin e rëndësishëm përgjatë këtyre viteve. 

Presidenti i Republikës shprehu shqetësimin e thellë për pasojat fizike dhe psikologjike të grevistëve dhe familjarëve të tyre. Në vlerësimin e Kryetarit të Shtetit, rrezikimi i jetës jo vetëm i dy pjesëtarëve të grevës, por edhe gjithë grupit të grevistëve dhe dhimbjes që shkakton, duhet të shmanget në respekt të vlerës që jeta ka. 

Presidenti Nishani u bëri thirrje përfaqësisë së grevistëve që të kontribuojnë në shmangien e akteve ekstreme që dëmtojnë shëndetin fizik dhe psikologjik të grevistëve dhe familjarëve të tyre. 

“Çdo zgjidhje duhet të kalojë përmes zbatimit të legjislacionit për kompensimin financiar të ish-të përndjekurve politikë si një mundësi rehabilitimi social për këtë shtresë dhe jo thjesht si dëmshpërblim monetar”, tha Presidenti. 

Kreu i Shtetit premtoi se do të ndërmarrë nismën për ndjekjen në vijimësi të procesit të zbatimit të ligjit për kompensimin financiar të ish-të përndjekurve politikë dhe për këtë do të kërkojë informacion të vazhdueshëm nga Ministria e Financave dhe e Drejtësisë për zbatimin e këtij ligji. Presidenti Nishani shfaqi mendimin se duhet shmangur përdorimi politik i grevës./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button