Apple iOS 7: Detajet e plota mbi sistemin e ri operativ për iPhone

Dje Apple ka lajmëruar gjeneratën e ardhshme të sistemit operativ për iPhone, iPod Touch dhe iPad – iOS 7, i cili vjen me dizajn plotësisht të ri dhe tipare të reja. Sipas drejtorit ekzekutiv të Apple, iOS 7 është ndryshimi më i madh në iOS prej lajmërimit të iPhone-it të parë.

iOS 7 mban një ndërfaqe plotësisht të ri-dizajnuar me mundësi të kryerjes së disa operacioneve në të njëjtën kohë, ikona me dizajn më të rrafshët, ngjyra më të ndritshme dhe aplikacione me pamje dhe eksperiencë plotësisht të re.

Përmes Multitasking në pajisjen tuaj iPhone, iPad ose iPod Touch ju mund të kaloni nga një aplikacion në tjetrin nga ndërfaqja kryesore pa patur nevojë të shkoni tek menyja e aplikacioneve.

Një tjetër tipar plotësisht i ri është ai cfarë Apple e quan “intelligently scheduled updates” përmes të cilit përmirësimet e aplikacioneve ndodhin automatikisht në prapavijë duke ju kursyer kohën për punët tuaja bazike në pajisje.

Aplikacioni i kamerës në iOS 7 poashtu ka marrë dizajn të ri së bashku me tiparet e reja si mundësia për të zgjedhur koleksionin e ngjyrave që dëshironi të përdorni para se të shkrepni një foto, në mënyrë që mos të keni nevojë të editoni një fotografi pas shkrepjes.

Apple ka lajmëruar edhe AirDrop, shërbim përmes të cilit ju mund të shkëmbeni foto dhe gjithçka tjetër me shoqërinë tuaj përmes rrjetit WiFi. Përmes iCloud Keychain, ju mund të ruani të gjithë fjalëkalimet për uebsajtet dhe aplikacionet e ndryshme në një vend të vetëm.

iTunes Radio është tipari tjetër i ri në iOS 7 i cili do të ju servojë muzikë pa pagesë në pajisjen tuaj, ngjashëm si Spotify.

Siri nga Apple ka marrë poashtu disa tipare të reja në një dizajn të ri, duke integruar rezultatet e kërkimeve nga shërbimet si Bing, Twitter, Wikipedia etj.

Lajme të ngjashme

Back to top button