Thaçi i shkruan letër kryeministrit grek

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, i ka shkruar letër publike kryeministrit të Greqisë, Andonis Samaras, lidhur me moslejimin e tij për të hyrë në territorin e Greqisë, me arsyetime, sipas tij, të dobëta.

Thaçi po kthehej nga Ankaraja ku mori pjesë në Kongresin e PKK-së të kryeministrit turk Rexhep Taip Erdogan, por ish kthyer nga pika kufitare me Greqinë nga punonjësit e Policisë greke, me arsyetimin se shoferi i tij nuk posedon patentë shoferi ndërkombëtar.

“Të Ju rikujtoj z. Kryeministër se unë jam kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, partisë më të madhe opozitare të shqiptarëve në Maqedoni dhe njëherazi deputet në Parlament. Mbase mund të kem mirëkuptim për frustrimet dhe vështirësitë që kalon qeveria dhe shteti Juaj  në këtë krizë që ju ka kapluar, megjithatë incidente të këtilla nuk kontribuojnë në imazhin e shtetit Tuaj”, i shkruan Thaçi kryeministrit grek.

Kreu i opozitës shqiptare i sjellë në vëmendje kryeministrit grek dhe rastin e bllokimit të gazetarit shqiptar të Televizionit Top-Channel, duke e cilësuar këtë qasje të politikës zyrtare athinase si të kundërt me parimet themelore të njerëzimit dhe të demokracisë së mirëfilltë.

“Përderisa ne si komb hapërojmë sigurt drejt familjes së madhe europiane, duke i kultivuar vlerat pozitive të saj qeveria dhe kombi Juaj fatkeqësisht shkojnë në kahe të kundërt duke u bërë një shembull i keq jo vetëm në aspektin ekonomik por edhe atë civilizues dhe demokratik. Në fund, z. Kryeministër pa asnjë respekt për Ju dhe qeverinë Tuaj fatkeqësisht jo vetëm për mua por për të gjithë shqiptarët Greqia do të vazhdojë të ngelë në mbamendjen tonë si një shtet që vazhdon të mbaje armiqësi  jo vetëm me kombin tim por edhe me kombet tjera në rajon e më gjerë”, thuhet në letrën e kryetarit të PDSH-së.

Kopjet e kësaj letre janë depozituar edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, si dhe pranë Ambasadës së Republikës së Greqisë në Shkup./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button