Prishet marrëveshja mes LSDM dhe PDSH

Bashkëpunimi mes partive më të mëdha opozitare Partia Demokratike Shqiptare dhe Lidhja SocialDemokrate zgjedhjet lokale të marsit ka marrë fund. PDSH akuzon LSDM-në se ka prishur marrëveshjen ndërsa kjo e fundit mbrohet se në asnjë moment nuk ka vepruar ndryshe nga ajo që janë marrë vesh.

Nënkryetari i PDSH-së Imer Aliu theksoi se LSDM ka shkelur parimin primar të marrëveshjes së tyre duke mos përkrahur kandidatin e tyre në Strugë.

“LSMD de facto ka prishur marrëveshjen me vetë faktin që e ka nxjerrë në pah si problem çështjen e Strugës, e shkeli parimin me të cilin fillimisht themeluam marrëveshjen. E keni parasysh se ne u morëm vesh që  dy partitë të mbështesin kandidatët e njëra- tjetrës në ato komuna ku njëra bashkësi etnike është shumicë dominuese. Struga është qytet me shumicë shqiptare dhe vetë hapja e kësaj çështjeje nënkupton ndërprerje të bashkëpunimit” tha Aliu për Portalb. 

Ai theksoi se sonte kryesia e partisë së tij do të diskutojë këtë çështje ndërsa në ditët në vijim do të del me qëndrimin zyrtar të ndërprerjes së bashkëpunimit. 

Nga ana tjetër, nga LSDM thonë se principet bazë të marrëveshjes teknike me PDSH-në nuk janë shkelur nga kjo parti. 

“Për ndërpritjen konkrete të bashkëpunimit, jemi të gatshëm të bisedojmë në çdo moment për të gjitha komunat posaçërisht për Strugën dhe Kërçovën. Megjithatë nëse për çfarëdo arsye PDSH dëshiron mos të komunikojë me ne, ne nuk mund ti ndalim apo të ndikojmë në vendimin e tyre” thonë nga LSDM.

Mosmarrëveshjet mes dy partive lindën pasi që LSDM ka gjasa të përkrah Sefer Canovskin i partisë PEI në Strugë e jo kandidatin e PDSH-së, Zijadin Sela. Edhe pse dje lideri i PDSH-së doli me qëndrim se bashkëpunimi shkon për merak, sot merret vesh që i njëjti nuk funksionon. Dy liderët Menduh Thaçi dhe Branko Cërvenkovski para disa muajve dolën me vendim për bashkëpunim teknik mes LSDM dhe PDSH për sa i përket zgjedhjeve lokale të marsit 2013. Analistët atëbotë u deklaruan skeptik se bashkëpunimi do të zgjas. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button