BE nuk i do më azilkërkuesit, do të vendos sërish viza?

Ministrat e Brendshëm të disa vendeve të Bashkimit Evropian janë takuar dje në Luksemburg, për të diskutuar mundësinë e pezullimit të liberalizimit të vizave për disa vende të Ballkanit, ndër të cilat është përmendur edhe Shqipëria.

Janë Belgjika, Luksemburgu, Gjermania, Franca, Austria dhe Holanda, të cilat i kanë dërguar letra Brukselit, për t’i kërkuar një përshpejtim të aktivizimit të mekanizmave të sigurisë, që u propozua fillimisht nga Komisioni Evropian dhe që lejon rivendosjen e përkohshme të vizave në rrethana të jashtëzakonshme. Megjithatë kjo çështje është temë debati mes shteteve anëtare të Komisionit Europian.

“Vetëm duke pezulluar vizat mund të frenojmë keqpërdorimet me kërkesat për azil”, janë shprehur ministrat e BE-së për mediat, duke sjellë argumentet e tyre, se kjo situatë është përkeqësuar që kur Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë, Shqipërisë dhe Bosnjës u është dhënë e drejta e daljes nga vendi i tyre pa viza në zonën e Schengen. 

Pavarësisht se Shqipëria pati përgëzime në vitin e parë të aplikimit për raste fare të pakta azilkërkuesish dhe respektim të 3-mujorshit, është futur edhe ajo në listën e zezë, ndër vendet më problematike bashkë me Serbinë dhe Maqedoninë, shkruan e përditshmja “Shekulli”.

Në konferencën për shtyp, që u zhvillua pas takimit, Komisionarja për Çështje të Brendshme e BE-së, Cecilia Malmstrom bëri të ditur se brenda 10 ditësh do të vizitojë Tiranën, ku do të zhvillohet një takim ndërministror për të diskutuar rreth masave për parandalimin e azilkërkuesve, të cilët janë rritur me 75% nga viti i kaluar dhe për përmirësimin e situatës.

Edhe ministrja e Brendshme e Qipros, vend që mban presidencën e radhës të BE-së, i bëri apel vendeve të Ballkanit, që të marrin masa për abuzimet me vizat, pasi shifrat e azilkërkuesve janë shqetësuese.

“Fluksi i madh i qytetarëve të Serbisë dhe Maqedonisë duhet të ndalet menjëherë” – keshtu ka deklaruar ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Hans-Peter Friedrich.

Ai bëri thirrje në drejtim të azil-kërkuesve, që t’i jepet sa më pak mbështetje në të holla dhe aplikimet të trajtohen me më shpejtësi, për t’i dekurajuar ata për të ndërmarrë të tilla përpjekje. 

Grupet e të drejtave të njeriut deklarojnë se rikthimi i regjimit të vizave do të dëmtonte pozicionin e BE në Ballkanin e paqëndrueshëm, ku tërheqja e anëtarësimit ka ndihmuar për të ulur armët, pajtuar armiqtë dhe drejtuar reformat që nga luftërat jugosllave të viteve ’90. azilkërkuesve.

Iniciativa Europiane e Stabilitetit ka paralajmeruar BE-në, se duhet të ketë kujdes të mos bëjë një gabim strategjik, duke e implementuar ate. Ata shtuan se: “heqja e regjimit të vizave përbën dhe vendimin më të rëndësishëm të ndërmarrë në dekadën e fundit, duke synuar integrimin e Ballkanit Perëndimor”.

Një nga shtetet e rrezikuara në këtë proces, Maqedonia përmes ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska ka deklaruar se çdo vendim i marrë nga Këshilli i Ministrave të BE-së në drejtim të kthimit të vizave do të ishte vendim shumë i ashpër. Megjithatë Jankullovska shprehet e vetëdijshme se çështja për mekanizimin kontrollI të valës së rritur të azilantëve, është e drejtë legjitime për të cilën vendet anëtare të BE-së duhet të bisedojnë.

Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian aktualisht po diskutojnë legjislacionin, që do të lejonte rifutjen e përkohshme të vizave në situata të caktuara./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button