Studentët e gazetarisë në USHT vizituan redaksinë e Portalb

Të hënën grupi i studentëve të katedrës së gazetarisë që janë në vit të katërt në Universitetin Shtetëror të Tetovës vizituan redaksinë e Portalb. Të udhëhequr nga prof.dr Aurora Ndrio-Karameti studentët e rinj të etur për dituri u interesuan thellësisht për mënyrën se si punon një medium që i përket gjeneratës së re, gjegjësisht si funksionon Portalb si një medium i ri elektronik.

Kryeredaktorja Elida Zylbeari u sqaroi studentëve se si puna e gazetarit në thelb mbetet e njëjtë : të informojë, edukojë të jetë i paanshëm dhe i ndërgjegjshëm mirëpo janë teknikat të cilat ndryshojnë dhe bota shkon drejt digjitalizimit. Portalet informative janë e ardhmja e gazetarisë dhe Portalb është një ndër to, theksoi ajo.

“Sot një gazetar i ri patjetër të mësohet të përdorë teknologjitë e reja, të mos varet nga kameramani apo fotografi, përpos që të shkruajë të dijë si të montojë dhe të bëjë një lajm të gatshëm sipas të gjitha parametrave të duhur. Në këtë dinamizëm dhe qarkullim enorm të informatave, gazetari duhet të jetë në hap me teknologjinë” tha Zylbeari.

Nga ana tjetër studentët parashtruan pyetje nga më të shumtat, duke vënë në theks: cilat janë nga sfidat e një gazetari, si u shmangen gazetarët presioneve politike, si mund të mbijetojë një portal informativ në treg, çfarë duhet për të qenë një gazetar i mirëfilltë e tjerë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button