Tetova do të bëhet me kompleks multidimensional

Dje , kryetari i komunës së Tetovës Sadi Bexheti ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me shoqatën italiane “Misericordia Ascoli Piceno” për realizimin e projektit për ndërtimin e kompleksit të ri në Tetovë që do të përfshijë ndërtimin e shtëpisë së pleqve, konviktit për studentët si dhe një çerdhe për fëmijë.

Komuna e Tetovës, do të ndihmojë shoqatën italiane në realizimin urbanistik të projektit, në heqjen nga taksat komunale, dhe do të sigurojë që objektet të kenë kyçje në rrjetin energjetik, të ujësjellësit dhe rrjetin e ujërave të zeza.

Kryetari i komunës së Tetovës, Sadi Bexheti falënderoi shoqatën nga Italia për interesimin e tyre për të investuar në qytetin e Tetovës. Sipas tij, ky do të jetë një projekt kapital tepër i rëndësishëm për qytetin Tetovës, dhe shembuj të realizimit të këtij projekti kemi nga qytete të ndryshme evropiane.

Presidenti i shoqatës italiane “Misericordia Ascoli Piceno” Buonopane Ignazio tha që projekti realizohet për një periudhë afatgjate dhe është i pari i këtij lloji në komunën e Tetovës. 

Ignazio është shprehur se realizimi i projektit në qytetin e Tetovës vjen pas kontakteve të shumta me mërgimtarët tetovarë në Itali dhe interesimin e tyre për të thithur investitorë dhe projekte të rëndësishme në vendlindje.

Ndryshe, realizimi i këtij projekti në Tetovë që pritet të konkretizohet me ndërtimin e objektit fillestar në një kohëzgjatje prej shtatë muajsh, vjen si rezultat i përpjekjes trevjeçare të bashkatdhetarit tonë në Itali, z. Zulfiqar Bahtiari i lindur në Brodec të Tetovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button