“Murtaja e bardhë”

“E kemi keq” – dëgjohen zëra të pashpresë, të cilët thellë në zemër ndjejnë dhimbje për të afërmit e tyre që mu në lulëzimin rinor braktisin vendlindjen e pashpresë. Vite me radhë përkrahëm djallin dhe ja ku jemi, mu afër tij. Madje sikur edhe ai do të ikë nga ne, pasi shef se edhe pa te ne vet e bëjmë ferrin. Me kaq djallëzi, këtu nuk mund të mungojë dënimi nga Zoti. Krimi dhe korrupsioni që moti janë shndërrua në vlera elitare. U bë mode që sa më i korruptuar të jesh, aq më i famshëm je. Është tmerr të lëvdohen veprat që krijojnë mjerim kolektiv. Njerëzit humbën aq shumë kohë duke menduar se fatin dhe lumturinë do ta gjejnë mu në mes të ferrit. Politikanë të shumtë vazhdojnë të lëvdohen me rezultate që s’duken, apo janë boshe. Çdo gjë që nuk i jep prioritet zhvillimit ekonomik, në fakt është bosh dhe boshatisë popullatën. Madje na akuzojnë se këso pakënaqësie del nga defekti ynë që e paskemi që nga lindja – paaftësia për të riregjistruar të arriturat e pjesëmarrësve në pushtet, madje edhe atëherë kur janë të imagjinuara. Kurse këta rezultate kanë vetëm një emërues të përbashkët – tri “k”: kaos, kolaps, katastrofë. Na duhej kohë të kuptojmë se “princesha e bukur” në fakt paska qenë vetëm një shtrigë e shëmtuar.

Lejuam, që të paditur e të korruptuar të na i zënë gjitha rrugët, e tani s’kemi kah ecim. Lejuam që të hyjnë në institucione qeveritare, në gjykata, në mediume, e më së shumti në xhepat tanë. Lejuam të na e ndajnë drejtësinë ata që as vet s’duhet të jenë në liri. Lejuam të na shesin mend ata që as vet s’i kishin. Tani u pa se edhe “Specialja” në mënyrë speciale paska ushqyer korrupsionin dhe reketin. Donim të krijojmë Laura Koveshin tonë, e cila në burgun qendror të Bukureshtit pat krijuar kuorum qeveritar në krye me ish-kryeministrin, por na doli e kundërta që na e lëndoi shpresën e fundit për drejtësi elementare. Numëruesi assesi të filloi të numëroi kthimin e miliardave të grabitura! Madje njëri nga ta që akuzohet për “Perandorinë” shumë milionëshe, tani me meritat e Katicës, me të madhe na shitet si viktimë e reketit nga “Boki 13” !!!

Tani na ka përfshirë paniku. Për ditë e më shumë mbetemi të rrallë e të vetmuar në fshatra e lagje qytetesh, të cilat tani më kanë filluar tu gjasojnë ujdhesave të shkreta. „Murtaja e bardhë“ tmerrshëm ka goditur mjediset shqiptare. Pjesët maqedonase sikur janë imune ndaj këtij eksodi me kaq përmasa. Fshatrat e tyre nuk kanë aq dyndje. Në ambasadat perëndimore, për viza pune katërfish më shumë presin shqiptarë, të cilëve siç duket çdokund tjetër u duket më mirë se sa në tokat e veta. Ku janë ato komuna e fshatra me zona industriale apo farmere, që janë bazë elementare e zhvillimit !? A i shkon ndërmend ndokujt se pa këso zonash dhe lehtësimesh ligjore s’mund të ketë kurrfarë zhvillimi !? Ku janë agresionet që duhet të përgatisin projekte për para të pakthyeshme nga fondet evropiane për zhvillim!? Sikur ndokujt në stilin – „pasi unë e kam mirë, edhe populli e ka mirë“ – aspak s’ia vret ndërgjegjen ky eksod i pafund i yni !

Zëvendës-kryeministri që përfaqëson dhomat ekonomike është shndërrua në faktor kryq për investime të sjella nga jashtë dhe si duket përafërsisht të gjitha orientohen në pjesën lindore të shtetit. Kurse ne kemi ministër shqiptar që mbulon ekonominë dhe një tjetër ministër shqiptar për investime të jashtme, por gati asgjë nga ta. Ja disa nga kompanitë që si duket dikush i ka bindë se të investohet në lindje të shtetit është më sigurt: ,,Canfield Foundry”, “Tab MAK”, “Zenit International Product”, “Jem Dash Lighting Europe”, “Kesler”, “Kostal”, “Sagen”, “VIK”, “Balkanlar Plastik”, “Murat Wiring Sitems” etj. Shumë nga to punojnë në lindje të shtetit. Kurse ne nga paratë e zeza të udhëheqësve tanë assesi të shohin dritë të bardhë. Por, tani edhe pasuria e tyre fillon ta humbë vlerën. Ajo është shndërruar në kërcenim edhe për patronët, pasi është rritur mbi gërmadhat e vuajtjeve të njerëzve të pafajshëm. Tani s’u del hesapi. Mbledhin, pjesëtojnë, shumëzojnë e minusojnë, por rezultati – “zero negativ”. Kur mbaruan së numëruari paratë e zeza, filluan t‘i numërojmë „murtajat e bardha“. Por, frika i ndjekë. Dikur pushonin në jahte luksoze, kurse tani lypin gomone-shpëtimi. Tmerr është kur të ndjek vuajtja, padrejtësia, mjerimi apo djersa e huaj. Atëherë gjithçka rreth teje shndërrohet në ferr.

Por, para së gjithash, edhe pse shumë vonë, madje tepër vonë – a ka ndokush që mund të ndihmojë që të shpëtohet kjo pakicë që ka mbetur? Ta kthej së paku zhurmën e ëmbël të nxënësve nëpër shkolla, të cilat tani gjithnjë e më shumë shndërrohen në strehimore sorrash ?!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button