Muhaxhiri: Isa Mustafa mund të rizgjidhet kryetar i LDK-së, kurse kandidat për kryeministër të jetë dikush tjetër

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se mendon që LDK nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë kontekst më të komplikuar të zgjedhjeve të brendshme të saja.

“Fillimisht, është gjendja e përgjithshme e spektrit politik, me rënien e Qeverisë dhe paqartësitë. Pastaj fakti që LDK del e para në sondazhe bën që të ketë presion ndaj saj. Në anën tjetër, zgjedhja e kryetarit në një periudhë kaq afër zgjedhjeve dhe duke pasë parasysh edhe çështjen shëndetësore të kryetarit aktual, Isa Mustafës. Është një komplikim i disanivelshëm”, është shprehur Muhaxhiri, njofton Klan Kosova.

“Nëse Mustafa do të ishte në 100 përqindëshin e tij shëndetësor mendoj se ai me automatizëm do të ishte kandidati i vetëm, sepse do ta kishte kreditin pozitiv që e fitoi pas qeverisjes së kaluar kur u krijua përshtypja se iu bë padrejtësi pas mocionit ndaj qeverisë së tij me anë të PAN-it dhe iu ndal qeverisja në gjysmë. Ai do ta shfrytëzonte këtë aspekt”.

“Fushata zgjedhore e imponon një lider partiak që udhëton nëpër gjithë Kosovën –nëpër degë dhe nëndegë, por për shkak të gjendjes shëndetësore Isa Mustafa e ka të pamundur ta bëjë këtë”.

”Gjithsesi, është e domosdoshme një marrëveshje harmonizuese mes akterëve kryesorë: Isa Mustafës, Agim Veliut dhe Lutfi Hazirit”.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, Muhaxhiri ka theksuar se është i mundshëm edhe opsioni i marrëveshjes brenda LDK-së për kryetar të partisë dhe një kandidati për kryeministër.

“Ekziston një dozë emocionaliteti dhe mund të interpretohet si një lloj akti i pamoralshëm nëse dikush garon kundër Isa Mustafës – në qoftë se ai vendos të përfshihet në një garë. Mirëpo, për shkak të respektit ndaj tij, por edhe ambicieve të të tjerëve në LDK, mund të ndodhë që Isa Mustafa të rizgjidhet kryetar, kurse kandidat për kryeministër të jetë një personalitet tjetër”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button