SHBA: Gjykata Supreme lejon përdorimin e fondeve për ndërtimin e murit

Gjykata Supreme në Shtetet e Bashkuara ka thënë se presidenti Donald Trump mund të përdorë 2,5 miliardë dollarët nga fondet e Pentagonit për ndërtimin e një pjese të murit në kufirin jugor, njofton REL.

Kështu, Gjykata Supreme bllokoi vendimin e një gjyqtari federal në Kaliforni, i cili ia ndaloi presidentit që të shpenzonte paratë për ndërtimin e murit.

Ndërtimi i murit, që ndan SHBA-në me Meksikën ishte premtuar nga Trump gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016. Ndërtimi i murit kundërshtohet nga demokratët.

Vendimi i Gjykatës Supreme do të thotë se paratë do të përdoren për të ndërtuar pjesë të murit në Kaliforni, Arizona dhe Nju Meksiko, raporton BBC.

Gjykata në Kaliforni kishte argumentuar se Kongresi amerikan nuk kishte autorizuar në mënyrë specifike që këto fonde do të përdoreshin në ndërtimin e murit.

Përmes një postimi në Twitter, presidenti Trump e quajti “fitore të madhe” vendimin e Gjykatës Supreme.

Presidenti Trump ka thënë vazhdimisht se ndërtimi i murit do të ndihmojë në frenimin e migrimit ilegal. Demokratët në anën tjetër kanë thënë se janë për rritjen e sigurisë kufitare, por sipas tyre, ndërtimi i murit do të ishte i kushtueshëm dhe nuk do të ishte efektiv.

Më herët gjatë këtij viti, Trump kishte shpallur emergjencë kombëtare, duke thënë se atij i duheshin 6,7 miliardë dollarë për ndërtimin e murit, pasi ai ka thënë se kjo është çështje e sigurisë kombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button