Zeqiri: Heshtja e Talatit dëshmon pafuqinë e BDI-së

Në vazhdimin e Komisionit për punë dhe politikë sociale ku diskutohet Propozim Ligji për branitellat Talat Xhaferi vazhdon me heshtje. Mënyra e tillë e bllokimit të këtij Propozim Ligji po vazhdon tashmë disa javë. Ndaj heshtjes së Talat Xhaferit ka reaguar sot Izet Zeqiri nga RDK opozitare.

“Tash më është evidente dhe është për tu habitur fakti me pozicionin inferior dhe pafuqi politike të BDI-së. Ajo me vazhdimin e komisionit në të cilin Talat Xhaferri vazhdon në heshtje pranon  se ka votuar gabimisht për mocionin e Qeverisë dhe ka përkrahur Qeverinë e Gruevskit që vë në pah se e gjithë kjo është vetëm një lojë politike vetëm për të rritur rejtingun politik. Është papranueshme se BDI nuk përfaqëson vetëm veten por përfaqëson shqiptarët dhe në vend të pozicionit të fortë politik ajo vazhdon me pozicione procedurale që të ndalë ligjin e “branitellave” – tha Zeqiri.

Duke komentuar edhe votëbesimin e së premtes, Zeqiri theksoi që BDI kishte shansin që të votojë kundër Qeverisë dhe pastaj të forcojë pozitën e vet në një marrëveshje të ardhshme, e jo të vazhdojë të hesht në Kuvend.

“BDI është dashur të votojë kundër Qeverisë dhe të ripozicionojë pozitën e vet në një marrëveshje të ardhshme me mandatarin me të cilin do të merreshe veshtë për të gjitha këto problemet e hapura dhe posaçërisht për ligjin e forcave të sigurisë dhe ligjin e përfaqësuesve të UÇK-së. Për ne është e papranueshme kjo sjellje dhe pas diskutimit injorues dhe mohues ndaj kërkesave të shqiptarëve nga kryeministri është e papranueshme dhe i paqartë pozicioni i BDI-së” – ka deklaruar Zeqiri.

Me reagim ka dalur edhe deputeti i PRSD-së Goran Misovski, sipas të cilit Propozim Ligji për branitellat është strategji për rritje rejtingu të BDI-së dhe VMRO-së.

“Për PRSD-në seanca e sotme e Komisionit për Punë dhe Politikë Sociale vetëm po e konfirmon tezën tonë se vazhdon strategjia e kontraktuar për rritjen e rejtingut të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së duke i keqpërdorur ndjenjat nacionale edhe të maqedonasve edhe të shqiptarëve. Përderisa BDI me heshtje e bllokon punën e komisionit patriotët e rrejshëm të VMRO-DPMNE-së atë me kënaqësi e ndjekin. Tenderët vazhdojnë ndërsa fotografia e kuvendit është e njëjtë me atë të para 30 ditëve. Skenari është më shumë se i dukshëm, komandantët e BDI-së e “shëtisin” VMRO-DPMNE-në ndërsa patriotët e rremë të VMRO-DPMNE-së me taktikën e njëjtë si të BDI-së me heshtje e mbrojnë ligjin e “branitellave”. Edhe njëri edhe tjetri duke e nënçmuar institucionin Kuvendi i Republikës së Maqedonisë bëjnë obstruksione në ndryshimin e rregullores zgjedhore edhe azhurimin e listës zgjedhore në këtë mënyrë drejtpërdrejtë i rrisin edhe tensionet ndëretnike edhe i rrezikojnë integrimet euroatlantike” – tha Misovski.

Talat Xhaferi edhe në mbledhjen e sotme të Komisionit ka vazhduar të prezentojë sllajdet, ndërsa nga partitë në pushtet nuk ka ndonjë shenjë se do të arrihet marrëveshje rreth këtij Propozim Ligji. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button