Menduh Thaçi: Kemi rejting më të lartë se BDI

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi në televizionin Alfa komentoi rrjedhat politike në Maqedoni në prag të interpelancës së nesërme. Ai përsëriti qëndrimin e partisë së tij të ndërtuar në mbledhjen e sotme të kryesisë qendrore se deputetët e kësaj partie do të votojnë të përmbajtur nesër. Këtë mënyrë të votimit ai e vlerëson si mosdhënie alibi për BDI-në, duke shtuar se kjo situatë nuk do të zgjasë shumë, pasi do të vijojë ofansivë politike e partisë së tij në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2013.

Duke komentuar anketën e shpallur disa ditë më parë nga instituti Pavel Shatev, institut i afërt me partinë maqedonase në pushtet, VMRO DPMNE, sipas së cilës dallimi mes BDI-së dhe PDSH-së ishte i vogël, ai tha se nuk u beson anketave të tilla, dhe se sipas informatave që posedon partia e tij nga terreni, PDSH ka rejting shumë më të lartë se BDI.

I pyetur për marrëdhëniet e tij me Rufi Osmanin dhe partinë e tij, Menduh Thaçi tha se Rufi Osmani dhe RDK për të nuk ekzistojnë, ai as mendon e as vepron diçka që ka lidhje me këtë parti.

Lideri i PDSH-së nuk beson se nesër në votëbesim mund të ndodh ndonjë befasi, por pret që VMRO DPMNE të shpall zgjedhje të parakohshme parlamentare pas gjashtë muajsh, në pako me ato lokale, ku do të zgjidhej një kryeministër i ri, ndërsa Nikolla Gruevski do të kandidohej për president në zgjedhjet e vitit të ardhshëm./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button