Varroset Ibrahim Sulejmani, vdekja mbetet mister

Me një ceremoni fetare islame dhe në prani të një numri të madh të qytetarëve sot për në banesën e tij të fundit u përcoll i ndjeri Ibrahim Sulejmani i cili u gjend i vdekur dje në burgun e Shqipit. Ish ushtari i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare vdiq në rrethana misterioze në ditën që duhej të lirohej nga burgu në të cilin vuante padrejtësisht dënimin për krime luftë të bëra gjatë vitit 2001.

Vdekja e Ibrahimit do të lë shumë pikëpyetje për familjarët e tij e tij të cilët dyshojnë se është vrarë

Ai u gjend i vdekur disa orë pasi kishte biseduar në telefon me të shoqen, ndërsa brenda ditës sipas informacioneve tona kishte komunikuar edhe më të afërm të tjerë. 

Portalb rrëfimin për Ibrahim Sulejman dhe familjen e tij do ta vazhdojë edhe në të ardhmen , me shpresë se një ditë do të del e vërteta për vdekjen e mistershme të tij. Avokati i tij Shpend Devaja ende mbetet i pakapshëm për gazetarët ndërsa avokati i popullit Ixhet Memeti na tha që nesër do të prononcohet për rastin.

Kërkohet hetim deri në zbardhjen e rastit

Edhe pse dje nga Ministria e Drejtësisë  thanë se vdekja ka qenë natyrore si dhe se vazhdimi heton, opinioni hedh dyshime për vrasje të mundshme.

“Në përforcim të ngritjes së dyshimit për një përfundim tragjik të të riut të pa nënshtruar , vjen edhe nga SHVL-UÇK dhe familjet e martirëve, nga aspekti moral, juridik, humanitar, kombëtar. Së bashku me ju, sot u drejtohemi Institucioneve Ndërkombëtare të Drejtësisë”, shkruhet në reagimin e SHVL- UÇK-së, të Fazli Veliut.

Hoda: Vdekja e tij na lë të dyshojmë
“Kjo është si pasojë e papërgjegjësisë së faktorit politik shqiptarë kur dihet se tash më i ndjeri Ibrahim Sulejmani e ka vuajtur dënimin për arsye se ka qenë pjesëtar i konfliktit të vitit 2001, ndërsa vdekja e tij na lë të dyshojmë kur dihet se në  burgjet e Maqedonisë ata kanë pasur torturë psikike,  por ndonjëherë edhe fizike”tha Besim Hoda, kryetar i organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

PDSH: eliminohen luftëtarët e UÇK-së
“Ibrahim Sulejmani ishte shembull tipik i keqpërdorimit të gjithçkaje mes të cilave edhe të gjakut të rinisë shqiptare nga ana e nomenklaturës së instaluar në pushtet që nga viti 2002 e deri më sot, respektivisht BDI-së. Epiteti që ato vet ia atribuuan vetes si parti e luftës, çdo ditë e më shumë po merr formën e partisë që i vret, burgos dhe eliminon në mënyrë tinëzare luftëtarët e konfliktit të vitit 2001 dhe pastaj nuk ngurrojnë të nesërmen ti varrosin e më pas t’u çojnë lule mbi varr”, thuhet në reagimin e PDSH-së.

RDK: Të bëhet ekspertiza ndërkombëtare
RDK shpreh dyshimin për rrethanat e vdekjes së Ibrahim Sulejmanit dhe kërkon kryerjen e obduksionit nga ekspertë të huaj, meqë mundësitë e shkaktimit të vrasjeve që duken vdekje të natyrshme, sot janë të shumta dhe nuk mund të zbardhen pa ekspertizë profesionale dhe objektive” thuhet në reagimin e RDK.

DR: Vdekje e dyshimtë, të zbardhet rasti
“Nuk është hera e parë që të rinjtë shqiptar kthehen me arkivole nga qelitë e burgjeve  maqedonase, ndërsa mungesa e shenjave të dhunës në trupin e të ndjerit nuk paraqet asnjë tregues të sigurtë për atë se vdekja nuk ka qenë e dhunshme. Sot në këto momente të rënda dhe pasigurie për të gjithë ne DR i  përcjell ngushëllimet e saja më të sinqerta familjarëve, miqve dhe bashkëluftëtarëve të të ndjerit” thuhet në reagimin e partisë Demokracia e Re.

Njëkohësisht, ka reaguar edhe organizata shqiptare, “Jeta e Re”, me seli në Nju Jork  duke bërë apel kreut shtetëror të Maqedonisë për zbardhjen e vdekjes misterioze të Sulejmanit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button