LSDM do të merr pjesë në koordinimin për votëbesim

Deputeti i LSDM-së Jani Makraduli tha sot para gazetarëve se megjithatë do të marrin pjesë në koordinim e nesërm në prag të seancës për votëbesim të Qeverisë. Ai akuzoi kryetarin e Kuvendit Trajko Veljanovski se po bën obstruksion të votëbesimit, por megjithatë paralajmëroi se një koordinator përfaqësues i propozuesve të votëbesimit do të merr pjesë në koordinimin e nesërm.

****************************************************************************

Mbetet e paqartë rrjedha dhe dinamike e seancës së nesërme për votëbesim. LSDM kishte dorëzuar listë të diskutuesve për seancën e nesërme ngjashëm siç bëjnë para seancës për pyetje deputetësh. Por, Kryetari i Kuvendit duke u thirrur në nenin 216, paragrafin 3 të rregullores, ka refuzuar këtë listë duke i thirrur koordinatorët e grupeve parlamentare në koordinim. 

Deputetët e LSDM-së, ashtu si edhe ata të PDSH-së paralajmëruan se do të bojkotojnë këtë koordinim. LSDM thirret në të drejtën kushtetuese për votëbesim të Qeverisë, dhe kërkojnë që koordinimi të bëhet në mënyrë joformale përmes telefonit. Ndërkaq nga PDSH thonë se do të vazhdojnë të bojkotojnë çdo lloj koordinimi, bojkot të cilin e kanë filluar për shkak të futjes në procedurë të Propozim Ligjit për branitellat. 

“Të gjithë e dijnë arsyen përse ne lëshuam kordinimet. Ne vendosëm një kusht, të hiqet ligji për branitellat nga rendi i ditës. Këtë kusht kryetari i Parlamentit nuk e ka plotësuar dhe ne vazhdojmë të bojkotojmë kordinimet” – tha Imer Aliu, koordinator i grupit parlamentar të PDSH-së.

Nga ana tjetër, deputeti i RDK-së Izet Zeqiri ka bërë kërkesë me shkrim që të marr fjalën në seancën e nesërme, që të mundet, siç thotë, të denoncoj të gjitha politikat e gabuara dhe antishqiptare të kësaj Qeverie. Ai paralajmëron se nëse opozita nuk i jep hapësirë që të diskuton nesër, do të bllokojë seancat për pyetjet e deputetëve deri në fund të vitit 2014, pasi akoma ka përgjigje për të marrë me shkrim, ndërsa tani më është duke përgatitur edhe qindra pyetje tjera për projektet me interes shqiptar të cilat sipas tij janë vetëm në letër ndërsa nuk realizohen.

Rreth asaj se si do të votojnë në votëbesim sot po diskutojnë kryesitë qendrore të BDI-së dhe PDSH-së. Disa mediume spekulojnë se sonte mund të ndodh takim mes liderit të BDI-së Ali Ahmeti dhe kryeministrit Nikolla Gruevski. Nga BDI thanë se një gjë e tillë nuk është e saktë.

“Nuk ka asnjë paralajmërim ose plan për takimin e dy liderëve. Është e pasaktë dhe informata se deputetet e BDI-së janë të përçarë në lidhje me votëbesimin eventual të nesërm. Do ta shihni si do të jetë qëndrimi jonë” tha Artan Grubi për Portalb. /Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button