‘Definim i ri’, apo rikthim konceptesh komuniste, rreth konstituimit të Strategjisë për një shoqëri inter-kulturore, të barabartë për të gjithë?

Të flasësh një apo dy gjuhë të tjera, domëthënë të kesh edhe një apo dy shpirtëra më tepër” Charlemagne

Sot, kur politikbërja në pjesën dërmuese të rasteve behet nga “persona të emëruar sipas parimeve klienteliste”, nuk është për t’u çuditur që në një konferencë, në një debat çfarëdo qoftë ai, madje edhe një debat informal, duke vënë në funksionim potencialin tënd të plotë kognitiv, të detektosh se si lëvizin dhe perceptohen individët dhe fenomenet e përfaqësuar në to. Si trajtohen çështjet lidhur me zgjidhjen e problemeve, që artikulohen nga politkbërës të inkurajuar nga ‘motive të ulta e banale sa më s’ka’, tipike për shoqëritë në tranzicion të përjetshëm! Motive këto si; herostratizmi lokal, përfitimet e majme materialiste, prestigji dhe supremasia e zbehtë e individëve politkë, që tanimë për dekada po reflektohet brez pas brezi, në nivel të privilegjeve të të famshmëve dhe pasardhësve të tyre. Legasi e shëndruar në traditë të flashkët, që vë në terr të zi mendimin e logjikës së politikbërjes racionale, për të mirën e një shoqërie të bazuar në meritokrasi, që në fakt e ëndërrojmë të gjithë!

Aktivitetet në fjalë, tanimë paraqesin ngjarje pampoze, ku ‘bien fjalët dhe mendimet e mëdha të njerëzve të mëdhenjë’! Janë ngjarje ku peshohen dhe ndërveprojnë po të njëjtat koka te politikbërjes klienteliste, dhe rrallë ndonjëherë, kokat e akademisë apo të inteligjencës së strukur, (nëse dikujt i kujtohet t’i thërret këto të fundit), zakonisht ofrohen dhe sponzorohen nga instancat dhe fondacionet e ndyshme. Momente madhore këto, me ç’rast kinse po kërkohet mendimi “intelektual“, ku si për çudi, të gjithë, në një mënyrë ose tjetrën, “kontribuojnë në radhë të parë për vetveten” dhe për të afërmit e tyre, përderisa misioni i tyre, në fokus duhet pasur përmirësimin dhe realizmin e të drejtave për “klientelën e quajtur popull!” Ky lloj eventesh, pro-formale, apo sa për sy e faqe, janë taktika për zgjidhje problemesh që artikulohen nëpërmjet shitjes së mjegullës, bazuar në ofrimin e të drejtave dhe beneficioneve të natyrës; inegzistente, të pavlefshme dhe përfundimisht, të fshehura pas perdes! Ato u janë të dedikuara të drejtave të popullit, i cili edhe më tej, mbetet në pritje të paskajshme, si puna e asaj ” tufës së deleve, në ecje kokëulur”, e ndjekur nga lajthitjet dhe e “shtypur nga thundra e hekurt” e kohës së pakohë, në përpjekje për të mbijetuar në pashpresën jetesës që solli demokracia “a la balkançe!”

Në debatet e mbajtura nëpër institucione të arsimit të lart, sa për sy e faqe, panelistë nga më të ndryshmit dhe mos të harrojmë , nga “më të aftet që njeh ky nënqiell”, flasin për çështje që reflektojnë gjithçka që ka të bëjë me paudhësinë, por jo pragmatizëm, konstruktivizëm dhe pozitivitet apo ide e sugjerime konkrete që do e konceptonin R.M.V. si demokraci funksionale e modeleve perëndimore, ku qytetari i ndershëm, do qëndronte në qendër të vëmendjes! Kjo shifet qartë ngase një debatues në panel, thjesht i verbuar nga privilegje qofshin ato të karaktetit material apo moral e shoqëror, apo madje pse jo edhe i/e ngulfatur në pashpresë, përpiqet të reflektojë në emër të së mirës kolektive, duke u shëndruar në “bëlbëzues ordiner” që nuk është në gjendje të bëjë dallimin ndërmjet koncepteve themelore të shoqërisë, banues të së cilës kemi qenë që kur u krijua njerëzimi. Thjeshtë, nga goditja e rëndë e politikbërjes dhe paudhësisë socio–ekonomike që ajo po shkaton, kjo qasje shterpe e diskursit politik të paudhë, nuk mund të bëjë dallimin ndërmjet multikulturalizmit dhe interkulturalizmit! Dy koncepte këto që dallojnë në masë të madhe në shoqëritë ku tanimë për shekuj po implementohen si zgjidhje win –win për të gjithë klasat shoqërore të vendeve nga të cilat e kanë origjinën! Normalisht, debatohet sipas koncepteve të interesave të klasave të caktuara politike në pushtet, duke mbrojtur politikat dezorientuese të pushtetit dhe qeverisë, hipotekat milionngjyrëshe, duke i kamufluar të njëjtat në formën më përfide të mundshme, për t’ia bërë mendjen dhallë, qytetarit në amulli multidimensionale!  Pra, assesi nuk debatohet për ndonjë koncept funksional i konstruktuar sipas modeleve që njohin suksese evidente dhe qe avancuan demokracinë perëndimore, në nivelet më të larta të saj! Një rutinë e politkbërjes kjo, që nuk njeh orientim dhe nuk njeh përmbyllje konkrete të problemeve me të cilat ballafaqohemi.

Shoqëria civile”, në R.M.V., koncept ky që me të madhe po trumbetohet dhe keqinterpretohet dhe që është i dëmshëm për shqiptarët e R.M.V., nga vetë fakti që përvoja tregon që si i tillë, koncepti në fjalë, gradualisht “fshin linjën kulturore etnike” ndërmjet dy etnikumeve më të mëdha në vend. Koncept ky që gjenezën e ka në ideologjinë asimiluese të regjimit që lamë pas, që në fakt si popull, na u deshën shumë sakrifica dhe punë për t’u bërë, që të largohemi nga kthetrat e tija, për të qenë ajo që në fakt jemi sot. Për më tepër, një koncept ky që çon gradualisht drejt një kompleksi “lojërash politike”, që funksionon sipas të së ashqtuquajturit “Kontroll i normës kryesore të identitetit kulturor(Main Cultural Identity Norm Control, angl.), dhe qe është i përshtashëm për shtetet bi apo tri nacionale, të modelit kombe-shtet, siç duhet të jetë R. e Maqedonisë së Veriut. Kjo sepse në praktikë, ky koncept do të nënkuptonte integrimin kulturor të shqiptarëve në komunikim bilingual me maqedonët, e që do mundej të realizohej me krijimin e ligjeve të reja për integrim interkulturor të ballansuar dhe të dyanshëm, pikërisht si ai në Konfederatën Zviceriane, në Mbretërinë Belge, Konfederatën Kanadeze, ku koncepti i komunikimit të kuptueshëm ndërsjellshmërisht (The Concept of Mutual Intelligibility), do e ndihmonte krijimin e konceptit për një shtet fuksional interkulturor, i dy etnikumeve të barabarta, në të cilin do të integroheshin pakicat egzistuese ne vend.

Do të ishte ky modeli i shteteve të sipërpërmendura, me theks të veçantë në modelin Kanadezo-Quebekuaz, ku “ komunikimi ndërkulturor” zhvillohet sipas modelit të ballancuar, në të dy gjuhët zyrtare të vendit, i.e. frëngjisht dhe anglisht. Pakicat, ose grupet tjera etnike, qofshin ato imigrantë apo vendas, nga vetë fakti që janë pakica, janë të integruar sipas konceptit të multikulturalizmit të “ normës primare kulturore në komunikim-the main cultural norm”, që nënkupton konceptin interkulturor franko-anglez të komunikimit në baza bilaterale. Ky koncept, ka lehtësuar në masë të madhe modelin e shtetit interkulturor, duke i bërë të dy kombet të funksionojnë në premisa të respektimit maksimal të gjuhës dhe kulturave të njeri- tjetrit. Një konsolidim dhe tekjalim i qëndrueshëm i ‘raporteve të ftofta’ të shkaktuara si rezultat i ekspansionizmit kolonialist ndërmjet fuqive gjegjëse (Franca dhe Anglia), në luftën e tyre për supremasi gjeo-politike mbi globin.

Projekti i Zyrës së kryetarit të shtetit, “Debat për propozim tekst rreth Strategjisë nacionale për zhvillimin e konceptit, për një shoqëri të barabartë për të gjithë, bazuar në normat e inter-kulturalizmit”, si duket, po trajton problemin sa për sy e faqe, duke gabuar dhe duke paraqitur të njëjtin nëpër institucione të arsimit të lartë të shqiptarëve, në formë të përkujdesjes formale, që ja edhe fella akademike shqiptare, po konsultoheka për të përpiluar strategjinë në fjalë! Një gaf pa presedan, tendenca e devijuar e të cilit, nuhatet madje lehtë nga mendjet që njohin më së miri këtë problematikë komplekse.

Në këto debate, sikur të thuhet haptas që kjo strategji është e dëmshme, ngase vendi po largohet nga “shoqëria e vërtetë civile”, që funksionon sipas normës së integrimit të barabartë dhe të gjithanshëm të etnikumeve në një idenitet me karakter bi ose trinacional, si ai i shteteve të sipërpërmendura. Nga dera e vogël, impnohet koncepti multukulturor i integrimeve, që është eksluzivisht i përshtatshem për shoqëritë perëndimore ku multikoloriteti etnik, në rradhë të parë vjen si rezultat i imigrimit ekonomik, dhe ku koncepti i interkulturalitetit, nuk ka gjasa praktike, të implementohet. Në fakt, çështë e drejta, debatuesit, dhe politkbërësit që ndodhen në suazat e këtij lloji të narrativi të ndijshëm, duhet të kuptojnë që një koncept i këtillë i integrimit, tanimë po haset edhe në R. e Kosovës, ku fatkeqsisht për shkak të politikave destruktive dhe nacionaliste të Beogradit rreth veriut të Kosovës, procesi në fjalë paraqitet ekskluzivisht i njënanshëm, në dobi të sërbëve, që kjo pakicë e vogël, të mos integrohet në shoqërinë shqipfolëse të vendit. Kjo për shkak të elementeve të politikave ekspansioniste serbe mbi mitin për Kosovën, që thjesht identifikohet me përpëlitjet e fundit të ‘skepsës politke serbe’, të integrojë shqiptarin në enklavën serbe të Mitrovicës!

Është vallë ky koncepti që duam ta prezantojmë nëpërmjet debateve të këtilla mjegullshitëse, edhe në R.M.V? Historia e R.M.V. nuk e ka atë “lux demografik”, që të reflektojë  “shoqëri multikulturore imigrantësh”, që në vete gërsheton ardhacakët e getove të modelve perëndimore, ku fqiu –fqiun nuk e njeh, e lërë më të flet gjuhën e tij! Një koncept që “përforcon kulturën e izoluar individuale”, që në luftë për të mposhtur frikën nga asimilimi, nuk ka fuqi etnike dhe kulturore, që të pozicionohet në kornizën interkulturore, bazuar në qasjen funksionale të implementimit të ligjeve që në formë institucionale, trajtojnë këtë të fundit.

Andaj, modeli kanadez dhe ai zvicerian, do ishte modeli pefekt që vendin do ta udhëzonte drejtë ”zbutjes së interaktivitetit të dërsjellë dhe të ballancuar interkulturor”, me ç’rast vendi do të ecte përpara i udhëhequr nga njohja dhe respektimi i ndërsjellë i kulturave dhe vlerave të të dy kombeve më të mëdha të vendit, normalisht i përkrahur nga pakicat e tjera. Ky pra, do ishte feed-backu i mendimit akademik lidhur me kërkesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të vendit, rreth krijimit të Strategjisë në fjalë, për shtet interkulturor dhe të barabartë për të gjithë! Pra, koncept i shtetit binacional që do funksiononte pa stigma dhe paragjykime të politikave gjuhësore, që Kushtetuta e vendit, fatkeqësisht akoma i parashikon dhe implementon në mënyrë iracionale, të verbër dhe jokoncize!

Dhe përfundimsht, një model i këtillë i një shoqërie me vlera të larta demokratike, do e ndihmonte R.M.V., që bazuar në komunikim të anasjelltë ndërmjet dy gjuhëve zyrtare të vendit, të “zbutej mosmarrëveshja dhe irritimet qw shkakton e komunikimit unilateral ndërkulturor”, duke hapur keshtu dyert e një “komunikimi të fuzionuar skajshmërisht”, ndërmjet dy etnikumeve, (maqedonëve dhe shqiptarëve). Një koncept i këtillë do bazohej në praktikën; “unë flas gjuhën tënde ti flet gjuhën time” = mutual intelligibility ose kuptueshmëri e ndërsjellë, që në fakt paraqet devizën kyçe të komunikimit ndërkombëtar në të gjitha institucionet e Unionit Europian në Bruksel dhe më gjërë. Dhe për më tepër, do e ndihmonte edhe më tepër Agjencionin për implementimin e gjuhëve të R.M.V., me theks të veçantë, implementimin efikas të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në të gjitha segmentet e sistemit. Një model i këtillë i komunikimit në një shoqëri me vlera të shtuara inter-kulturaliste, qoftë ai i shkruar ose i folur, do t’ i integronte të gjitha ‘pakicat e vërteta linguistike’, duke reflektuar kështu një shoqëri intretkulturore mirë rë etabluar, e cila do të kontribuonte në funksionalitetin e shtetit mirë të organizuar interkulturalisht, por me karakter multikulturor, me mundësi të barabarta për të gjithë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button