Betimet e presidentit Meta, nga dorëheqja, Allende, dekretet dhe krahasimi me Avni Rustemin
Karrierës politike të presidentit Ilir Meta nuk i kanë munguar deklaratat e forta ku brenda tyre s’ka munguar fjala dorëheqje nga postet që ka mbajtur.
“Të jeni të sigurt që unë dhe 20 deputetë të LSI do ta votojnë reformën, unë do të iki nga kryetar parlamenti, se s’mund të rri në një parlament që voton nën presione e shantazhe”, tha ai asokohe, transmeton Top Channel.
Por deklarimi epik, i cili do të mbahet mend gjatë i artikuluar nga Presidenti Meta ishte gjatë një vizite në Pogradec gjatë muajt Mars 2019.
“Jam i gatshëm për të dyja ekstremet. Që nga dorëzimi i mandatit tim si President e deri tek sakrifikimi i jetës sime si Salvador Allende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas”, tha ai.
Katër ditë pas kësaj deklarate presidenti përsëri shfaq gadishmërinë për të lënë pallatin presidencial nëse kjo do t’i shërbente zgjidhjes së krizës.
E ndërsa muajt kalonin dhe kriza po thellohej deklarimeve të presidentit Ilir Meta për tu dorëhequr ia zunë vendin disa vendimeve të cilat ish aleati i tij Edi Rama i quajti si veprime të koordinuara me opozitën.
“Kam vendosur anulimin e datës 30 qershor si datë e zhvillimit të zgjedhjeve vendore’, tha ai.
Nga qëndrimi për të lënë mandatin për hir të zgjidhjes së krizës Presidenti ndryshon kurs 180 gradë, duke i kujtuar të gjithëve datën e mbarimit të mandatit.
“Ky institucion nuk i përket Ilir Metës, ky institucion i përket presidentit të Republikës, ky është një vend që u takon gjithë shqiptarëve dhe bashkë do të jemi këtu deri në 24 korrik të vitit 2022”, tha ai.
Pa u shuar ende jehona e deklarimit me Salvador Allende ish-president i ndjerë Kilian, presidenti Ilir Meta iu kthye heronjve shqiptarë me gjithë simbolikat e tyre.
“Sepse Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit dhe është presidenti i Shqipërisë dhe do i dalë për zot Shqipërisë. Jam i racës së Avni Rustemit, Mic Sokolit, Vojo Kushit etj. Është mirë mos ta provojë askush kokëfortësinë time për të mbrojtur interesat e vendit tim”, tha ai.