Shqipëria dhe Kosova marrëveshje për përfaqësi të përbashkëta diplomatike

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, priti në një takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, ndërsa mes dy vendeve është nënshkruar marrëveshja ndërministrore për bashkim të përfaqësive diplomatike dhe konsullore dhe për bashkëpunim strategjik në fushën e politikës së jashtme, raporton Anadolu Agency.

Ministrat Cakaj dhe Pacolli pasi nënshkruan marrëveshjen mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku u fokusuan në bashkëpunimin mes dy vendeve dhe në çështje të tjera.

Gjatë fjalës në konferencë, Cakaj tha se sot u nënshkrua një marrëveshje për vendosjen e mekanizmave institucionale në funksion të afrimit të interesave të ndërsjella mes dy vendeve.

“Marrëveshja e sotme është e ndërtuar mbi disa shtylla. E para është shtylla politike, e cila synon të përmirësojë nevojën për zgjerim të rrjetit tonë politik dhe ngritjen e përfaqësimit diplomatik për t’iu përgjigjur sfidave të vendeve tona në arenën ndërkombëtare. E dyta është shtylla diplomatike, ku kemi rënë dakord për ngritjen e fondit të përbashkët për zhvillimin e ambasadave dhe konsullatave të përbashkëta në botë. E treta është shtylla profesionale, e cila synon rritjen e aftësive në shërbimin diplomatik”, tha Cakaj.

Cakaj tha se Shqipëria dhe Kosova nga sot e tutje fillojnë punën për të pasur ambasada dhe konsullata të përbashkëta në botë. 

“Së fundmi është shtylla e diplomacisë kulturore. Dy vendet kanë rënë dakord për zhvillimin e një kalendari të përbashkët të aktiviteteve kulturore për ruajtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare”, u shpreh Cakaj.

Sipas Cakajt, nga sot e tutje Shqipëria do t’i bashkëngjitet ndërmarrjes lobuese të Kosovës dhe shtoi se “Sot nuk jemi vetëm më afër se ndonjëherë më parë pranë njëri-tjetrit, por ky është një kapitull i ri bashkëpunimit për krijimin e diplomacisë së integruar mes dy vendeve”.

Ndërkaq, ministri Pacolli në fjalën e tij tha se marrëveshja do të kontribuojë për të dy vendet dhe më së tepërmi për Kosovën.

Kosova ka nevojë për ndihmën e Shqipërisë dhe mbështetjen e njerëzve me eksperiencë të cilët sot kontribuojnë në marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera. Jam i lumtur që nënshkruam këtë marrëveshje. Nga tani ne punojmë në interes të dy shteteve dhe do të shikoni se rezultatet do të jenë më të mëdha. Jetojmë në një kohë ku gjeopolitika ka ndryshuar, interesat e shteteve të ndryshme kanë ndryshuar dhe ne tani duhet t’i adaptohemi këtij realiteti, duke filluar nga kjo marrëveshje”, u shpreh Pacolli.

Sipas Pacollit, ka ardhur koha që dy vendet të angazhohen duke hapur përfaqësi diplomatike të përbashkëta.

“Ne duhet t’i bashkojmë energjitë dhe të veprojmë së bashku. Jemi të gatshëm të veprojmë gjithmonë sipas këshillave të Shqipërisë. Së bashku do të jemi më të fortë dhe më të respektuar prej të tjerëve”, tha Pacolli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button