Zhvarroset ish-presidenti turk Turgut Ozal

Dyshimet mbi rrethanat e vdekjes së tij 19 vjet më parë, kanë shtyrë prokurorët turq të kërkojnë zhvarrosjen e ish-presidentit Turgut Ozal, njeriut që e nxorri vendin nga sundimi ushtarak në 1980-ën e ndërmorri reforma ekonomike rrënjësore në Turqi. 

Mes masash të rrepta sigurie, varri i tij brenda një mauzoleu në Stamboll, u hap në praninë e një kleriku musliman. Pas 7 orësh e gjysmë pune, eshtrat e ish-presidentit u vendosën në një arkëmort të veshur me shtresë zinku e të mbuluar me flamurin kombëtar, e u dërguan në institutin e mjekësisë ligjore. 

Ozal vdiq nga zemra prillin e vitit 1993 në një spital të Ankarasë në moshën 65 vjecare, kur ende ishte në postin e Kreut të Shtetit. Të afërm dhe bashkëpunëtorë të tij që atëherë hodhën dyshimet se presidenti ishte helmuar. 

Ekipet e specializuara do të përpiqen tani të gjejnë gjurmë subtancash toksike në eshtrat e Ozalit qe do t’i kthehen familjes këtë fundjavë. Historia politike e Turqisë është e mbushur me grushte shteti nga ana e ushtrisë, komplote anti-qeveritare dhe vrasje pa gjyq. 

Një gjykatë vendase është duke shqyrtuar aktualisht cështjen e qindra të dyshuarve për lidhje me rrjetin e nëndheshëm nacionalist, të njohur si  “ergenekon”, i akuzuar për tentativën e rrëzimit të qeverisë aktuale. 

I vëllai i Ozalit, Korkut Ozal deklaroi në 2010-ën se besonte që pas vdekjes së ish liderit turk, qëndronte pikërisht kjo organizatë. Arsyeja përse kërkohej vdekja e Ozalit mendohet të kenë qenë përpjekjet e tij për t`i dhënë fund konfliktit me militantët kurdë gjatë kohës që do të qëndronte në detyre. 

I konsideruar një vizionar që ndihmoi të hapej rruga për një Turqi moderne me politika të tregtisë së lirë, Ozal i ofroi mbështetje të plotë perëndimit duke përkrahur koalicionin e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara që largoi Irakun nga Kuvajti në vitin 1991./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button