Xhumaja e së vërtetës, demaskimi i politikës

Iniciativa e LSDM-së për votëbesim të Qeverisë nxeh skenën politike në Maqedoni. Opozita kapi momentin e duhur që të vë në siklet partnerët e koalicionit, të cilët do të jenë të detyruar që në mënyrë të qartë dhe të prerë të definojnë qëndrimet e tyre të turbullta që kishin për njëri tjetrin, dhe të qartësojnë (mos)besimin që shfaqnin në opinion me një sërë veprimesh që filluan me rastin e nderimeve të Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Besimi në Sllupçan. Partitë qeveritare deri tani nuk e interpretuan qëndrimin e tyre për interpelancën, e as që dhanë ndonjë kahje se si mund të votojnë të premten, kur sipas të gjitha gjasave kjo iniciativë do të gjendet në rend dite.

Si do të votojnë partitë qeveritare? A do të votojë VMRO DPMNE pro Fatmir Besimit, i cili pas Sllupçanit u bë “kripë në sy” për partinë qeveritare maqedonase? Edhe më e rëndësishme është se si do të voton BDI. A do të voton BDI pro kësaj politike monoetnike dhe antiperëndimore, vetëizoluese të Qeverisë Gruevski? A do të votojë pro Ministreshës për Punë të Brendshme, Gordana Jankullovska e cila gjykon shqiptarët që në konferencë për shtyp, quan ata terrorist, përderisa vrasësve të shqiptarëve u siguron alibi, siç ishte rasti me vrasjen e dyfishtë në Gostivar. A do të votojë BDI pro Ministrit për Arsim dhe Shkencë, Pançe Kralev, i cili as që mendon të tërheq tekstet shkollore me përplot ofendime dhe propagandë antishqiptare, ministër i cili mbyll paralelet shqipe dhe nuk lejon riemërtimin e shkollave ku mësojnë nxënësit shqiptar? A do të votojë pro kryeministrit Gruevski, i cili nuk kursen deklaratat kërcënuese dhe nënçmuese për shqiptarët e Republikës së Maqedonisë, kryeministër i cili solli projektin monoetnik Shkupi 2014 dhe dhjetëra projekte të ngjashme antishqiptare? A do të votojë BDI pro qeverisë që solli në Kuvend Propozim Ligjin për branitellat, në të cilin quan ish luftëtarët e UÇK-së ekstremistë?

BDI ka mundësinë që për të parën herë prej qeverisjes së tyre ti bie grusht tavolinës dhe të sillet si pozitë, ta rrëzojë këtë qeveri politikën e së cilës e kundërshtojnë shqiptarët e Maqedonisë, të votojnë kundër bllokatorit të proceseve eurointegruese për të cilat BDI deklarohet aq e përkushtuar dhe e vendosur. BDI ka mundësinë që të parën herë ti kundërvihet VMRO-së në mënyrë institucionale, duke mos rrënuar natën, duke mos ndërruar tabela të shkollave ilegalisht, dhe duke mos bllokuar me metoda opozitare. Është mundësia e fundit. Çdo veprim ndryshe kjo parti do të legjitimon dhe arsyeton të gjitha provokimet dhe nënçmimet që i bëhen shqiptarëve nga ana e VMRO-së.

Ekziston edhe mundësia e tretë. BDI mund që të mos voton as pro, e as kundër interpelancës. Në një rast të tillë interpelanca nuk do të kalon, qeveria do të mbetet, por do ti zhvishet legjitimiteti. Respektivisht, nëse BDI voton e përmbajtur, pro interpelancës do të jenë 52 deputetë, ndërsa 56 deputetët e VMRO-së do të jenë kundër. Kështu, interpelanca për rrënim të qeverisë nuk do të ketë 62 votat e nevojshme që të kalojë, por as qeveria nuk do të ketë po aq vota që të mbajë legjitimitetin. Atëherë në Maqedoni do të kemi një qeveri legale, por jo legjitime. Kjo nuk e liron BDI-në nga përgjegjësia për vazhdimin e qeverisjes së Gruevskit, por edhe e ngarkon VMRO-në me obligim moral për të shqyrtuar legjitimitetin e tyre, duke çuar vendin në zgjedhje. Cila nga këto alternativa do të realizohet, do të shihet të premten, por një gjë është e sigurt, ajo ditë shumë gjëra do të qartësojë.

Lajme të ngjashme

Back to top button