Zgjedhjet lokale në Shqipëri, SHBA-të kërkesë KQZ-së për miratimin e vëzhguesve

Ambasada amerikane në Tiranë kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të miratojë akreditimin e vëzhguesve për monitorimin  e procesit zgjedhor me datën 30 qershor. KQZ ka marrë parasysh kërkesën e tyre

Erjon Dervishi

Marrja në shqyrtim e letrave të dërguar nga ana e përfaqësuesve të ambasadave në Tiranë, ishte një nga pikat e rendit të ditës në mbledhjen e djeshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili vijon punën, pavarësisht anulimit të dekretit të Presidentit Meta për 30 qershorin, si datë e zgjedhjeve vendore. “Për miratimin e vëzhguesve afatshkurtër dhe përkthyesve të Ambasadës Amerikane, për vëzhgimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019”- thuhet në rendin e ditës së punës për mbledhjen e djeshme të KQZ-se. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të monitorojë votimet me të paktën 20 vëzhgues dhe 19 përkthyes. Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka caktuar 4 vëzhgues dhe 3 përkthyes për 30 qershorin, po ashtu edhe Ambasada e Italisë ka akredituar 4 vëzhgues dhe 3 përkthyes. Ndërkohë OSBE-ODIHR do të ketë të dielën 150 vëzhgues. Kjo organizatë regjistroi dje edhe 8 ekspertë të tjerë të çështjeve zgjedhore. KQZ ka marrë vendim edhe për akreditimin e dy televizioneve ndërkombëtare, siç është Al Jazeera dhe televizioni austriak, ORT. Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shfuqizuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale, por maxhoranca e konsideron dekretin si antikushtetues dhe të pazbatueshëm.

Letra e SHBA

Letra e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranës, është e nënshkruar nga ana e Përfaqësues së Lartë të Ambasadës Amerikane, Leyla Moses-Ones. Letra i dërgohet Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri. Ajo shkruan: Lutem të pranoni stafin e anëtarëve akreditues si vëzhgues afat-shkurtër dhe përkthyes për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit në Shqipëri. falënderim për punën tuaj dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që p bën në advancë për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve”, përfundon letra.

Letra e Ambasadës Britanike

Edhe letra e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar është firmosur nga ana e Ambasadorit Britanik në vendin tonë, Sean Melburne. Letra shkruan se: Ambasada Britanike në Tiranë dërgon përshëndetjet e saj për Komisionin Qendror Zgjedhor dhe miqësisht kërkon akreditimin e vëzhguesve ndërkombëtarë afat-shkurtër për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, 2019, sipas listës bashkëngjitur”, thekson Ambasada Britanike.

Letra e OSBE

Letra e Prezencës së OSBE-së në Shqipëria është disi më e gjatë, sepse ajo përmend edhe personat që do të jenë vëzhgues të këtyre zgjedhjeve. Letra shkruan se: Zyra e OSBE dhe ODIHR, paraqet përshëndetjet e saj për Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe ka nderin të deklarojë sa më poshtë: Në bazë të Notës Verbale 150/2019, e datës 9 Maj 2019, në lidhje me vendosjen e Misionit të ODIHR për zgjedhjet e 30 Qershorit 2019, ODIHR ka kënaqësinë të ju informojë se zyrtarët e mëposhtëm do të udhëtojnë në Tiranë gjatë ditës së zgjedhjeve. Ata janë: Z. Urdur Gunnarsdottir, nga Islanda. Këshilltar Special për Drejtorin e ODIHR; Z. Alexander Shlyk, Bjellorusia, Kryetar i Departamentit të Zgjedhjeve në ODIHR; Z. Aleksei Gromov, Federata Ruse, Këshilltar për Zgjedhjet, ODIHR; Znj. Lauren Hollingsworth Baranowska, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Editore tek ODIHR. Në këtë mënyrë, ODIHR dëshiron që të informojë se personat e mëposhtëm do të udhëtojnë në Tiranë për të mbështetur EOM ODIHR: Z. Anders Uno Eriksson, Suedia, Ekspert i Statistikës; Z. Johannes Josephus Gerardus Schmeets, Holanda, Ekspert Statistike; Z. Jane Kareski, Maqedonia e Veriut, Oficer Kontraktues i ODIHR; Znj. Joanna Katarzyna Porczynska, Poloni, Asistent për Financat.

Letra e Ambasadës Italiane

Edhe Letra e Ambasadës Italiane shpreh të njëjtën kërkesë. Ajo shkruan se: Ambasada e Italisë në Shqipëri paraqet përshëndetjet e saj për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për sa i përket zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, ka nderin që të kërkojë akreditimin, si vëzhgues afat-shkurtër të personave të cilët janë pjesë e kësaj Ambasade. Ambasada e Italisë në Tiranë si ka gjithashtu nderin që ti paraqes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve konsideratat e saj më të larta”, përfundon letra. Këto letra të dërguara nga ana e Përfaqësive të Ambasadave dhe Zyrës së OSBE/ODIHR në Shqipëri, tregojnë këmbënguljen e ndërkombëtarëve për të vazhduar zgjedhjet lokale në Shqipëri. Përveç Këshillit të Evropës, i cili ka vendosur të tërheqë të gjithë misionin e saj të vëzhgimit nga Shqipëria, zyrat e tjera ndërkombëtare kanë shprehur mbështetjen e tyre për zhvillimin e zgjedhjeve lokale në vend.

KQZ

Bazuar në nenin 22, pika 2, e Kodit Zgjedhor, nenin 12 të Rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, Zëvendës kryetari z. Denar Biba, Anëtarët, z. Bledar Skënderi, znj. Edlira Jorgaqi, znj. Rezarta Bitri, kane thirrur më datë 27.06.2019, Ora 10:00, me rend dite: 1. “Për ndryshimin e vendndodhjes së VNV nr.42, Bashkia Kavajë, dhe VNV nr.9 Bashkia Tropojë, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019”. 2. “Për miratimin e stafit të Radio Televizionit Austriak “ORF”, për vëzhgimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019. 3. “Për miratimin e vëzhguesve afatshkurtër dhe përkthyesve të Ambasadës Britanike, për vëzhgimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019. 4. “Për miratimin e gazetarëve dhe operatorëve të medias Bold News, për vëzhgimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019. 5. “Për miratimin e gazetarëve dhe operatorëve të televizionit Al Jazeera, për vëzhgimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019. 6. “Për miratimin e vëzhguesve afatshkurtër dhe përkthyesve të Ambasadës Italiane, për vëzhgimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019. 7. “Për miratimin e vëzhguesve afatshkurtër dhe përkthyesve të Ambasadës Amerikane, për vëzhgimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button