OSBE i mbështet përpjekjet për ta bërë Parlamentin e RMV-së dhe rajonin me ndjeshmëri gjinore

Mbi 30 deputete nga Maqedonia e Veriut dhe nga Evropa Juglindore përforcuan njohuritë e tyre për ndjeshmërinë gjinore të parlamenteve dhe shfrytëzimin e financave publike për barazi gjinore gjatë një konference të mbështetur nga OSBE-ja që u përmbyll në Shkup më 27 qershor 2019.

Konferenca dy-ditore siguroi mundësi për të krijuar rrjet të grave deputete dhe për të rritur bashkëpunimin rajonal. Ngjarja u organizua nga Klubi i deputeteve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe u mbështet nga Misioni i OSBE-së në Shkup dhe OSBE/ODIHR-ja, me mbështetje financiare nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.

Gjatë kësaj konference, gjithashtu u prezantua sondazhi i drejtuar nga OSBE-ja mbi dhunën kundër grave në Evropën Juglindore. Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Klemens Koja, në fjalimin e tij nënvizoi rolin thelbësor të përkushtimit politik të grave deputete në avancimin e barazisë gjinore në Parlament. “Këto përpjekje janë thelbësore për të mbrojtur dhe për të promovuar të drejtat njerëzore të grave si dhe për sigurinë dhe prosperitetin e shoqërive në përgjithësi,” theksoi ai.

Si nikoqir i ngjarjes, Kryetarja e Klubit parlamentar të deputeteve, Gjylymser Kasapi, theksoi efektin bashkues të fokusit në çështjet gjinore, duke shtuar se është “posaçërisht krenare që gratë deputete punojnë së bashku në çështjet që na bashkojnë pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike ose atë politike.“

Nënkryetarja e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Frosina Tashevska-Remenski, nënvizoi nevojën për të arritur standarde ndërkombëtare në pjesëmarrjen e barabartë të grave dhe burrave si në jetën politike, ashtu edhe në atë publike. “Arritja e qëllimit që të ketë zhvillim të qëndrueshëm të barazisë gjinore deri në vitin 2030 kërkon më shumë punë nga ne për të krijuar kushtet e nevojshme kulturore dhe sociale,” tha ajo.

Tiina Kukkamaa-Bah, udhëheqëse e Njësisë për qeverisje të mirë dhe çështje gjinore në ODIHR, Varshavë, iu drejtua pjesëmarrësve dhe foli mbi rëndësinë e inkorporimit të çështjeve gjinore si strategji kyçe për arritjen e barazisë gjinore.

Ajo tha se parlamentet në rajon akoma nuk kanë arritur të krijojnë politika dhe praktika gjinore, gjë që i vendos gratë në disavantazh gjatë angazhimit të tyre politik dhe theksoi nevojën për t’u fokusuar në atë që institucionet të lehtësojnë ndryshimet para se të krijojnë standarde formale siç është përfaqësimi proporcional i grave në parlamente.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button