Mu bëfsh nëno balerin!

E kam menduar shpesh dhe e kam thënë po aq shpesh – prind nuk të bën patjetër ngjizja, lidhshmëria biologjike ose edhe akti i lindjes së fëmijës. Prind të bën durimi, durimi dhe prapë durimi. Normalisht, dashuria e pakusht dhe tërësisht e pakursyer janë pjesë të pandashme të këtij roli, si dhe frika e vazhdueshme që nuk të lëshon dot.  Më moti dikur e kam pas lexuar në një revistë kroate, intervistën e një fotografeje artistike, e cila dallimin midis të qenit vetëm grua dhe më pas nënë, e përshkruan pikërisht me emocionin e frikës. Se si para fëmijës, nuk ke frikë pothuajse nga asgjë, të paktën nga asgjë e pa-arsyeshme. Ndërkaq kur bëhesh me fëmijë, edhe një qetësi e vazhdueshme për 10 minuta të tërë, kur fëmijët janë të vetëm në dhomë, të çon brof në këmbë për të kontrolluar se mos vallë diçka ka ndodhur.
 
Edhe pse kjo frikë do të jetë e pandalshme për prindërit, ajo zëvendësohet varësisht nga koha, mosha dhe rrethanat e këtij relacioni prindër-fëmijë. Shpesh, efektet e kësaj frike i kujtoj edhe sot, kur me fëmijën e parë, vizitat e rregullta pediatrike, shndërroheshin në ankth pritjeje, tek ne prindërit sajonim skenare horrori për atë se çfarë do të thoshte mjeku. E edhe kur mjeku na diagnostikonte të shëndoshë si molla, ne prapë insistonim që pediatri t’i shihte edhe një herë brendësinë e syve për anemi, se mos ajo puçrra e vogël ishte më tepër se aq e deri te përfolja e rregullsisë dhe ngjyrës së jashtëqitjeve. Atëherë kur përpilonim edhe check-lista për pyetjet që do t’i bënim mjekut, dhe kur atëherë derisa prisnim radhën në dhomën e pritjes për vizita, ndjeheshim si mamatë më të këqija në botë, tek krahasonim fëmijët e moshave të njëjta, e kur dëshpëroheshim që fëmija ynë ishte më i imët se tjetri, dhe kur ngushëllonim veten se fëmija ynë mund të ishte më i imët ama që kishte ecur akoma pa mbushur 11 muaj! Dhe e di sigurtë që të gjithë ne prindërit kudo e kemi bërë këtë! Në mos, atëherë më duhet patjetër t’ju takoj për të marrë disa mësime shtesë të prindësisë.
 
Tani, rikthim në të sotmen, medoemos me frikat pa rreshtur. Mëngjeset i kemi të zakonshme, do të thotë, në vrap të përhershëm, për t’u bërë gati për punë, fëmijët të paktën me çorape në shputa dhe bile dy-tre gllënjka kafeje të pirë para daljes nga shtëpia. E gjërat bëhen më stresuese në fillim të javës. Të hënën Bora kishte munguar në shkollë, dhe për të martën, ajo dhe ne prindërit, i kishim harruar fare detyrat e shtëpisë. Prandaj, e kishim zgjuar Borën më herët që bashkërisht të nisnim detyrat dhe ajo t’i përfundonte më pas vetë ato. Detyrat e radhës na kishte dërguar mamaja e një shoqeje të klasës, të fotografuara, përmes emailit- teknologjia, shpëtuese jetësh këto ditë! Unë, me laptopin e hapur, kafenë në anën e djathtë, ndërkaq pasqyrën për makijazh mbi tastaturën e laptopit, përpiqesha me mund t’i sqaroja Borës kërkesën e detyrës. E kur në momente të caktuara, ajo përthekohej në imagjinatë, tërësisht e pavëmendshme për kohën e çmuar, me faqen e fletores akoma të zbrazët, më vinte të grithja veten deri në gjakosje, vetëm sa për të zëvendësuar njërën torturë me torturën tjetër më të përballueshme. Tani, ata që nuk kanë fëmijë, mu këtu në këtë çast do të më shpallin nënën më të keqe në botë; ata që kanë fëmijë ndërkaq, do të m’a bashkëndjejnë dhimbjen dhe në heshtje do të pohojnë me kokë e do të vazhdojnë së lexuari, e ata që janë në pritje të fëmijës, mos t’i lëshojë zemra, se këto momente janë vetëm 1 në 100, se 99 të tjerat janë të shkëlqyeshme- këtë ua premtoj! Detyrat mund edhe të mos i kishim bërë se përnjëmend nuk mbaroj bota po s’u bënë ato një herë, mirëpo frika sërish, si përkujtues i vazhdueshëm për disiplinë në këtë rast, na ngrehte veshin për të kursyer Borën pas disa ore në klasë, nga turpi dhe sikleti, pse e vetmja nuk i kishte bërë detyrat!  
 
Para disa javëve, një pasarelë mode në një qendër tregtare në Prishtinë, më kishte shtyrë akoma më shumë ta mendoja këtë punën e frikës, në këtë rast frikën abstrakte për gjëra të cilat akoma kanë për të ndodhur. Një pikë baleti nga repertori i mbrëmjes kishte sjellë në skenë një grup balerinësh të vegjël. Ca vajzushe të ëmbla sherbet bënin piruetat e mësuara përmendësh ndërkaq lëvizjet e tjera ishin më tepër burimore, origjinale të koregrafuara secila për qejfin e vet. Megjithatë, prapë shumë lezetshëm. Por, vëmendjen ma zuri një djalosh, ndoshta diku rreth 7 vjeç. Me një trup elegant, biond dhe me geta blu, dukej si të ishte pjesë e teatrit të Bolshoit. Sytë e tij kishin një përqendrim të mahnitshëm dhe të pabesueshëm për moshën. Lëvizjet e tij të sakta, kërcimet dhe puthitjet e shputave me dyshemenë si në ujë dukeshin, e që gjatë gjithë kohës, përcilleshin me një orkestrim trupor- adagio e përkryer ku vetëm valëvitja e ballukeve në ballë të përkujtonin që ai në të vërtetë ishte një fëmijë! E mahnitur, thash me vete: “Uaaaa ky po që do të jetë balerini i ardhshëm i Kosovës!”.” Po, ne lënshin! Thash gjithashtu me vete! Tani, nuk dua të paragjykoj, mund të ndodh që prindërit e këtij balerini të lindur të jenë tërësisht mendje-hapur, se fundja po të mos kishin qenë të tillë, nuk do ta kishin regjistruar fare të birin në orë baleti, dhe këtë e dëshiroj sinqerisht. Mirëpo, për të folur drejtë, në një shoqëri kaq mashkullore, ku rolet gjinore të prera me thikë ndajnë edhe artin në dysh, edhe martesat besa por edhe familjet, të të bëhet djali balerin, nuk ma do mendja që do të pranohej me shumë zemërlehtësi. Kjo sepse përherë do të ketë të atillë, më shumë se jo fatkeqësisht, që si disa shikues atë natë, do të shpotisin me “O mjerë baba që të sheh kështu”!
 
Dhe prindërit, nga frika e shpotitjes dhe në përpjekje për të kursyer fillimisht fëmijën, e më pas edhe veten besa, dekurajojnë më të dashurit e tyre nga ëndrrat dhe shpresat për të ardhmen. Mirëpo, ku e dinë përnjëmend prindërit se cila është në fakt gjëja më e mirë për fëmijën? A është më e mira e prindërve edhe më e mira për fëmijën? Apo mos vallë, nga instinkti për t’i mbajtur fëmijët ndër krahë, në mbrojtje deri në vdekje, gjithmonë vendosim gjënë më të sigurtë, duke anashkaluar talentin, dëshirën dhe prirjet që ka fëmija?
 
Në fakt edhe unë mund të kem qenë produkt i prindësisë së njëjtë, me gjasë karakteristike për prindërit në krejt botën. Mirëpo, meqë akoma nuk e di se çka do të bëhem kur të rritem, ndoshta prindërit e mi ishin pak më fleksibil në frikat e tyre. Bora kuptueshëm, ka luhatjet e saj të profesionit nga dizajnere, në parukiere, shitëse dhe kryeministër. Nëse ajo do të bëhet dizajnere, tani po mendoj me zë, athua sa do të ishte konkurrente në tregun e punës me këtë profesion? Sa do të arrinte pavarësinë financiare përmes këtij profesioni? Në fund fare, a do ta bënte të lumtur ky profesion, aq sa për ta nxitur më shumë dhe për të ushqyer ambiciet e saj për më tutje? Ndoshta kjo e fundit do të duhej të ishte pyetja e parë, që në fillim. Po pastaj, çka nëse Bora nuk do të përfundojë fare shkollimin sipëror, dhe vendos të ushtrojë ndonjë biznes? Si do të ndjehesha unë para rrethit, kur nuk do të kisha fotografi diplomimi për tu krekosur me to?!
 
Vazhdoj tani të shoshis jetën dhe profesionin e ardhshëm edhe të Malit. Gjatë vizitave tona në Shkup, ai i sillet vërdallë pianinos sime të vjetër, si të ishte ajo një lodër e re e pazbuluar, duke e hapur me kujdes kapakun, në fascinim të vazhdueshëm. Me gishtat e tij të vegjël, përnjëmend luan në të si do të duhej të luhet në pianino dhe jo siç bëjnë rëndom fëmijët e vegjël me goditje të rënda mbi taste. Shtyp një dhe mrekullohet me tingullin, shtyp tjetrin dhe buza i shkon në gaz. Thjeshtë, e dukshme që atij i pëlqen instrumenti. Po tash, si do të përputhet kjo me treningët e futbollit, aq të planifikuara, akoma pa u lindur Mali madje?
 
Dhe derisa po analizoja tërë jetën profesionale të dy fëmijëve të mi, s’do mend që më kishte kapur prapë frika. E drejt e te “kabineti medicinal” i mamave – frigoriferi me verë të kuqe. Dy gota më vonë, sikur nuk ishte edhe aq e rëndësishme se çka do bëheshim kur të rriteshim, për sa kohë, do të rriteshim dhe të kënaqeshim gjatë rrugës deri atje!
 
Edhe pse, nuk hiqja dot sysh imazhin e një prototipi fëmije me shëndet prej atleti, me mendje prej juristi, me humanitet prej mjeku dhe me mirëqenie prej biznesmenit, tek luan në piano për qejf!

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button