Çka na zbulon konkursi për regjistrim në shkollat e mesme?

Ka filluar regjistrimi i nxënësve të rinjë nëpër shkollat e mesme publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Konkursi është shpallur qysh më 30 Mars 2019 por tek sot i pashë të dhënat në një gazetë. Për vitin shkollor 2019/2020 qenka paraparë regjistrimi i 35,690 nxënësve të rinjë. Prej këtyre: 24,581 për paralele me mësim në maqedonisht, 10,123 për paralele me mësim në shqip, 952 në turqisht, dhe 34 në serbisht. (Burimi: gazeta “KOHA” 18 Qershor 2019)

Me përqindje (të rrumbullakësuara) i bie:

Maqedonisht 68.87%
Shqip 28.36%
Turqisht 2.66%
Serbisht 0.09%

Çka na mësojnë këto të dhëna?

  1. Pas statistikave zyrtare shtetërore për numrin e lindjeve sipas së cilave nga fëmijët që lindin çdo vit, 33-36% të fëmijëve janë të prindërve etnikisht shqiptarë, tani edhe numri i nxënësve i paraparë për paralelet shqip, e që është plot 28.36%, është edhe një dëshmi e rradhës që shqiptarët në RMV janë shumë më shumë se 20%! Si ua mbanë goja disa qarqeve të thonë se shqiptarët qenkan nën 20%?! Nëse mendojnë se migrimi e ka zbritur përqindjen e shqiptarëve, e kanë gabim sepse nuk migrojnë vetëm shqiptarët, mediat maqedonisht vazhdimisht raportojnë se si po zbrazen viset me shumicë maqedonase, madje edhe një qytet me peshë si Manastiri! Dhe në fund të fundit, nëse shpresojnë se përmes migrimit do të bie përqindja e shqiptarëve me çka do t’iu merren një numër i madh i të drejtave të fituara me Marrëveshjen e Ohrit, a nuk është kjo një pranim për një dëshirë të heshtur për spastrim etnik? A ende mendojnë se të drejtat që i kanë fituar shqiptarët me Marrëveshjen e Ohrit u dashka t’iu merren?
  2. Sipas regjistrimit të vitit 2002, në Maqedoni (tashmë të Veriut) 11% e popullsisë nuk janë as maqedonas as shqiptarë, por sipas konkursit të lartpërmendur, vetëm 2.75% e vendeve të parapara janë me mësim në gjuhën e komuniteteve që nuk janë as maqedonas as shqiptarë. Kjo edhe njëherë e dëshmon josinqeritetin e atyre që, çdoherë kur shqiptarët kërkojnë ndonjë të drejtë, shprehin brengosje që kjo do të ishte e padrejtë ndaj turqve, romëvë, dhe boshnjakëve! (Edhe pse, për të qenë të drejtë, me këtë konkurs turqve gati fare s’iu është bërë padrejtësi.)
  3. Fakti që serbët e kanë një paralele në gjuhën e tyre, ndërsa romët që janë shumë më shumë në numër nuk kanë paralele në gjuhën e tyre, dëshmon edhe njëherë se si serbët në shtetin tonë kanë ndikim disproporcional me numrin e tyre, ndërsa sa i përket romëve, e dëshmon edhe njëherë magnitudën e diskriminimit që bëhet ndaj tyre.

Shkruan: Rilind Dauti

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button