Presidenti Nishani, kritika në OKB për Kosovën

Pasi ka bërë një analizë të lirisë në qytetërimin e njerëzimit, duke theksuar se – “sa herë që ne kemi humbur vizionin për ligjin në nivel kombëtar dhe në nivel ndërkombëtar, jemi përballur me trazira, luftëra dhe vuajtje. Çdo herë që i jemi përkushtuar ligjit dhe i kemi shndërruar në mbarëbotërore parimet e tij, kemi gjetur paqen, marrëveshjen dhe begatinë” – presidenti Bujar Nishani ka kaluar tek konteksti kombëtar dhe rajonal i lirisë, siç citon faqja zyrtare e Presidencës mbi fjalimin e presidentit në OKB mbi shtetin e së drejtës.   

Sipas tij, sot Shqipëria gjendet në pararojë të mbështetjes dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe ajo përkrah luftën e të gjithë popujve për liri anembanë botës, që nga Siria deri në Mianmar dhe se çdo regjim që dhunon ligjin e lirisë duhet të japë llogari në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

“Shqipëria ka mbështetur dhe gjithmonë do të vazhdojë të mbështesë mandatet e Gjykatave Ndërkombëtare për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në luftën ndaj pandëshkueshmërisë, si dhe në vendosjen e standardeve të një drejtësie botërore në interes të paqes dhe sigurisë.”, ka shtuar më tej Nishani.

Pas kontekstit të përgjithshëm, Nishani ka kritikuar veçanërisht qëndrimet ndaj Pavarësisë së Kosovës. “Është për të ardhur keq që nganjëherë vendimet dhe mendimet e Gjykatave Ndërkombëtare nuk merren parasysh nga shtetet, të cilat i kanë ngritur dhe paraqitur fillimisht si çështje gjyqësore. Kështu ishte edhe rasti me mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi pavarësinë e Republikës së Kosovës. Në rajonin tim, atë të Ballkanit, popujt e etnive të ndryshme: shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë kanë përjetuar disa nga luftërat më të tmerrshme në emër të nacionalizmit të keqpërdorur. Mendjet shoviniste përligjën ideologjinë e superioriteti të tyre mbi popujt e tjerë, duke legjitimuar gjenocidet dhe masakrat që pasuan”, ka theksuar Nishani.

Kështu që, është e natyrshme për ne, që të respektojmë shtetin e së drejtës si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar: zbatimi i tij është në të vërtetë i pasqyruar në mënyrë të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet tona të drejta, paqësore dhe të mira me fqinjët tanë në rajon dhe më gjerë.

Ndërkohë, mësohet se ish-ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic, ka lënë sallën para se të merrte fjalën, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

Lajme të ngjashme

Back to top button