Kodi Zgjedhor me ndërhyrje kozmetike, problemet reale mbesin

Sot kanë hyrë në procedurë parlamentare katër Propozim Ligjet që kanë dalë nga dialogu në nivel të lartë mes Republikës së Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian. Propozim Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, Propozim Ligji për finansimin e partive politike, përgjegjësia e qytetarëve në raste të shpifjes dhe ofendimit si dhe Propozim Ligji për ndryshim dhe plotësim të Kodit Penal u gjendën para deputetëve në seancën e Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie në mes bashkësive.

Deputeteja e BDI-së Ermira Mehmeti Devaja tha se propozuesi, Ministri i Drejtësisë që është kuadër i BDI-së, me këtë akt po dëshmon angazhimin e BDI-së për realizimin e reformave evropiane dhe për ta çuar vendin drejt BE-së.

“Duhet të shprehim shqetësimin tonë pas asaj që ditën e shtunë dhe të diel erdhi realisht si një dush i ftohtë për përfaqësuesit e klasës politike. Në fakt kjo ishte deklarata e Komisarit, z. Fyle që është naive apo do të ishte naive që të marrim datë për negociata pa e zgjidhur çështjen e emrit. Kjo mund të ketë një rrezik për ta vënë nën hije dinamikën e reformave që dalin si obligime nga dialogu i nivelit të lartë, megjithatë ne si grup parlamentar jemi këtu për të dhënë mbështetjen tonë ndaj kësaj pakoje të ligjeve për shkak se duam ta ruajmë kursin reformues, duam ta ruajmë frymën evropian, duam tu japim edhe më tepër mbështetje përpjekjeve për të marrë një raport pozitiv. Në të njëjtën kohë shfrytëzojmë rastin që mesazhin e Komisarit Fyle edhe një herë ta artikulojmë si grup parlamentar dhe si parti politike e përcaktuar drejt euro-integrimeve se koha, apo orët, apo minutat që ndërlidhen në mënyrë simbolike me çështjen e emrit apo kontestin me Greqinë tash po trokasin në derë dhe kërkojnë zgjidhje sa më shpejtë që është e mundur.

E gjithë kjo pako e ligjeve vjen nga Ministria e Drejtësisë apo nga një ministri e cila udhëhiqet nga kuadër i BDI-së gjë e cila shpreh jo vetëm simbolikisht por edhe në praktik angazhimin e BDI-së për të realizuar reformat evropiane për të çuar vendin drejt integrimit të BE-së” – ka thënë Devaja, transmeton Portalb.

Nga ana tjetër, deputeti i RDK-së Izet Zeqiri nxjerri në pah vërejtje serioze për ndryshimet e propozuara të Kodit Zgjedhor duke konstatuar se me këto ndryshime nuk preket lista zgjedhore, e cila mbetet e stërmbushur me votues fiktiv, dhe sipas tij numri i votuesve tejkalon edhe numrin e popullatës.

“Kemi ndryshime kozmetike të Kodit Zgjedhor dhe të gjitha këto ndryshime nuk janë ndryshime esenciale dhe në harmoni me kërkesat e OSBE dhe ODIHR. Ajo që kam arritur të analizoj dhe të kuptoj, nëse ne shkojmë në zgjedhje me këto ndryshime sipërfaqësore kozmetike, ne nuk do të kemi zgjedhje fer dhe të drejta dhe ashtu siç janë kërkesat e OSBE-së. E nderuar zëvendës ministër, ju nuk keni ndryshime nga neni 41 deri në nenin 56 që kanë të bëjnë me listat e votuesve. Këtë çështje nuk e prekni aspak edhe pse kjo ka qenë një nga shqetësimet kryesore që kanë të bëjnë me listat e votuesve, me cilësinë dhe saktësinë e listave të votuesve. Nëse shkojmë në zgjedhje pa pastrimin e listave të votuesve ne do të kemi një krim zgjedhor. Numri i përgjithshëm i popullatës në vitin 2002 duke iu referuar regjistrimit të këtij viti, ka qenë 2.022.547 banorë. Popullatë nën moshën 18 vjeçare ka qenë 591.702. Njerëz me të drejtë vote kanë qenë 1.430.845, kurse votues në 2002 kemi pasur 1.664.296, që do të thotë se kemi pasur 233.448 votues më tepër. Po kjo as në Bangladesh nuk është. Kemi më pak popullatë se sa votues. Po të analizohen në bazë të qyteteve,shohim se në Vraneshticë  1322 banorë, kurse votues 1551. Në Debarcë ka pasur 5507, kurse votues 5598. Në Novac 3549 banorë, 3771 votues, ose për 222 më tepër. Në Resnjë 16.625 banorë, 19.048 votues, ose 2223 votues më tepër. Në Mavrovë dhe Rostushë 8618 banorë, 9084 votues. Më tregoni ju mua si do të shkojmë në zgjedhje me këtë listë të papastruar zgjedhore, ku bëhet fjalë për 233.448 votues fiktiv” – tha Zeqiri.

Deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu kritikoi mënyrën e formimit të grupit të punës i cili ka përgatitur këtë Propozim Ligj. Ai gjithashtu potencoi se rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR janë marrë vetëm sipërfaqësisht dhe nuk janë trajtuar si duhet në Propozim Ligj.

“Nga ajo që shihet në këtë Propozim, shihet  qartë se aspak nuk janë marrë parasysh rekomandimet e paraqitura nga OSBE-ODIHR-i për Kodin zgjedhor. Vetëm sipërfaqësisht janë marrë dhe janë vendosur këto rekomandime në këtë Kod zgjedhor pa ndonjë ndryshim me kodin paraprak. Ne ishim kundër edhe mënyrës se si u formuar grupi punues që është marrë me përpilimin e kodit zgjedhor. Ky grup punues u formuar nga ana e Qeverisë, ku si koordinator u caktua Ministria e Drejtësisë. Qeveria pa u konsultuar me askëd ka propozuar që këtë grup punues ta përbëjnë përfaqësues nga kabineti i kryeministrit, nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Nga Sekretariati për Çështje evropiane, Komisioni shtetëror zgjedhor, Komisioni shtetëror për parandalimin korrupsionit, Enti shtetëror për revizion, Këshilli për Radiodifuzion, Delegacion i Unionin Evropian në Maqedoni, Nga ambasada e SHBA-ve, Zyra e OPSBE-së në Shkup, OJQ ‘MOST’ dhe në fund ceken margjina dhe përfaqësues të grupeve parlamentare në RM dhe një ekspert vendas. Nga kjo shohim se Qeveria pa e konsultuar me askënd njëanshëm vendos për formimin e këtij punues që do ta përpiloj Kodin Zgjedhor. Dhe në këtë grup punues propozon të marrin pjesë edhe përfaqësues të Grupeve parlamentare në RM. Me këtë tregohet një joseriozitet shumë të madh, nga kjo shihet qartë se kjo qeveri nuk e ka ndërmend të organizon zgjedhje të lira, ndershme dhe demokratike” – tha Fazliu.

Ai shtoi se PDSH duke mos dashur të bëhet pjesë e ndonjë loje të re të Qeverisë ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë grup pune.

“Duke mos dashur të bëhemi pjesë e kësaj loje të re të Qeverisë ne si PDSH refuzuam të marrim pjesë në këtë Grup punues të Qeverisë, sepse vlerësojmë se për këtë çështje që është shumë e rëndësishme për Maqedoninë dhe demokracinë, siç është Kodi Zgjedhor, duhet të kemi dialog të vërtet politik mes forcave kryesore në vend që me konsensus të plot të arrihet marrëveshje për sjelljen e Kodit Zgjedhor” – tha Bekim Fazliu./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button