KSHAA mbajti darkën e 100 vjetorit të pavarsisë

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) e mbajti darkën e 16-të vjetore në lokalin e njohur në qendër të qytetit të New Yorkut, “Gothmas”, në ndërkohë që qindra vetë morën pjesë në këtë darkë madhështore, njofton INA.

Ndër të ftuarit e shumtë të Mbrëmjes Vjetore që organizoi Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, binte në sy pjesëmarrja e udhëheqësve të lartë nga Shqipëria dhe Kosova: presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani si dhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, zëvendëskryeministrit, Behgjet Pacolli, zv/ kryeministrja për evrointegrime e Maqedonisë, Teuta Arifi dhe zv/kryeministri Musa Xhaferri, si dhe përfaqësues nga shqiptarët Malit të Zi, Luginës së Preshevës dhe Çamërisë, etj. 

Përfaqësimi zyrtar amerikan në këtë darkë vjetore gjithëshqiptare ishte i madh, mbasi këtë herë morën pjesë dy kongresistë, amerikan Mark Grim dhe Eliot Engel, ambasadorja Rosemary di Carlo, ish ambasadori Frank Wisner dhe zëvendës – ndihmës sekretari i Shtetit, Philip Reeker, e të tjerë. 

Mbrëmja e përvitshme e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan mbrëmë iu kushtua 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë mbasi ky ishte një rast mirë për t’i bërë një nderim madhështor nga shqiptarët e Amerikës 100 vjetorit të Shqipërisë, demokratizmin e saj, anëtarësimin në NATO dhe shpresa për në Bashkimin Evropian të Shqipërisë në këtë 100 vjetor dhe liria e pavarësia e Kosovës.

Darka vjetore e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan u hap me këndimin e himnit të Shqipërisë dhe SHBA nga këngëtarja e njohur Rona Nishliu. Në ndërkohë që Drejtori Ekzekutiv i KKSHA, Avni Mustafaj, përshëndeti darkën dhe pjesëmarrësit duke e çelur këtë festim me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Mustafaj lexoi letrën që Sekretaria e Shtetit Hillary R. Clinton i kishte dërguar me këtë rast Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, njofton INA.

“Ftesa e juaj është një nder i madh për mua që të isha folësi kryesor në darkën e 16 vjetore të Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan dhe për të marrë pjesë së bashku me ju. Për fat të keq, agjenda ime, e ngjeshur nuk më lejon të bashkohem me ju në Nju Jork më 21 shtator, dhe për këtë me vjen keq që këtë vit nuk do të jem për të festuar jo vetëm punën e KKSHA, por edhe 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Por, shton zonja Clinton, unë jam i kënaqur që Zëvendës Sekretari ynë Asistent për Çështjet Europiane dhe Auroaziatike, Philip Reeker, është në aty mes jush për të marrë pjesë në vendin tim, dhe në emër tim ka për të lexuar një deklaratë nga unë në këtë ngjarje. Unë përfitoj nga ky rast të falënderoj ju dhe organizatën tuaj për përkushtimin tuaj për përmirësimin e mirëqenies së popullit të Ballkanit Perëndimor. Ju keni demonstruar rolin vendimtar me komunitetet e diasporës se si mund të luajë në zgjidhjen e problemeve dhe krijimin e mundësive në vendet e tyre të origjinës. Veçanërisht mbresëlënëse janë përpjekjet e KKSHA-së për të promovuar fuqizimin ekonomik dhe politik të grave përmes programit Hope Fellowship, për të i cilin Shtetet e Bashkuara janë krenare për t’a mbështetur”, thuhej në letrën e sekretares Clinton. 

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani foli për ecurinë historike, sfidat dhe prosperitetin e shtetit shqiptar. Ai kujtoi rrugën e përshkuar nga Shqipëria në dy dekadat që nga shembja e komunizmit.

“Vendi, i cili në të kaluarën  njihej për shkeljet më absurde të të drejtave të njeriut, të krahasueshme vetëm me Korenë e Veriut, sot mban kryesinë e radhës në Këshillin e Evropës. Energjia që ka sjellë liria dhe ekonomia e tregut, si dhe mësimet e nxjerra nga mungesa e përvojës, e kanë vënë Shqipërinë brenda një kohe të shkurtër në listën e vendeve që tërheqin investime të huaja”, tha Presidenti Nishani.

Presidenti i Shqipërisë, përsëriti premtimin se gjatë mandatit të tij presidencial Kosova do të jetë përparësia kryesore e aktivitetit të tij, në përpjekje për të shtuar njohjet e saj ndërkombëtare.  

“Kontributi i shqiptarëve të Amerikës dhe i miqve tanë, kongresistë, senatorë, intelektualë dhe veprimtarë të të gjitha fushave është shumë domethënës për vetëdijesimin e opinionit te brendshëm dhe te jashtëm, për krijimin e platformës së drejtë dhe tërësisht civilizuese, është i madh” theksoi presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila foli për rrugën e përshkuar nga shqiptarët në Ballkan.

“Rruga jonë drejt lirisë ishte plot sakrifica, që kulmin e arriti me luftën e lavdishme të UÇK-së, të komandantit legjendar Adem Jashari, të bijve dhe të bijave më të mira të atdheut. Platforma jonë politike,internacionalizimi  i çështjes së Kosovës, u bë në sajë të lëvizjes intelektuale dhe gjithë popullore të udhëhequr nga Presidenti i parë i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, që me programin largpamës për liri, pavarësi dhe demokraci mobilizoi popullin me politikën aktive paqësore”, deklaroi presidentja Jahjaga, njofton INA.

Ambasador Frank Wisner, ish negociator ndërkombëtar për Kosovën,përshëndeti nga podiumi darkën vjetore të KKSHA , sikurse edhe  Senatori Charles Schummer, i cili u nderua me çmimin Duart e Shpresës./portalb

           

Lajme të ngjashme

Back to top button