“Malli për tokën” e Sead Ramadanit, vepra ku ndjehet barra e shekujve

Me rastin e përurimit të librit me poezi të Sead Ramadanit në Ennepetal të Gjermanisë që u organizua nga Lidhja e shkrimtarëve, krijuesve dhe artistëve shqiptarë të mërgatës

Të nderuar miq, dashamirë të letrave shqipe, të nderuar krijues dhe artistë, bashkatdhetarë e njerëz bujarë, unë nuk jam kompetent të flas për poezinë, për poetët e shkrimtarët, por jam artist, publicist dhe botues që e kam domosdo të bashkëjetojë me krijuesit e tjerë të artit. Ngjashëm sikur në periudhën e Renesancës kur në Itali vepronin kamerata të shumta (shoqata intelektualësh dhe artistësh), sikur në klasicizëm kur në Vjenë të Austrisë bashkëpunonin krijues të të gjitha arteve, pastaj në Paris të Francës, gjatë periudhës së romantizmit, kur poetë, muziktarë e piktorë i shërbenin njëri-tjetrit për hir të artit, ashtu edhe në kohën tonë janë të dukshme shoqëri, lidhje, shoqata e bashkësi të tilla, ku aktivistë të sferave të ndryshme bashkohen rreth një qëllimi human, fisnik, etik, bujar e kombëtar.

Në këtë kuptim, bashkëpunimi im si muziktar, me piktorë, poetë dhe krijues të tjerë ka qenë, është dhe besoj të mbetet gjithnjë i frytshëm dhe tepër domethënës. Një bashkëpunim të ngushtë dhe të përzemërt e kam pasur edhe me krijuesin Sead Ramadani që rezultoi me librin “Malli për tokën” – një vepër poetike e ndarë në katër kapituj: “Vjedhësi i mallit” – një botë e heshtur ku ndjehet trazimi i shpirtit njerëzor; “Ç’sjell kjo kohë” – një mikrokosmos në shkatërrim e sipër; “Më shiko” – përplasje motivesh e mendimesh; “Dhimbja na ka përvëluar” – nekrologji për njerëz të dashur, të ndershëm e të mrekullueshëm.

Sead Ramadani është kurbetçi sikur shumë e shumë të tjerë që me valixhet në shpinë ikën rrugëve të mallkuara për të na lënë neve të qetë, për të na mundësuar neve liri ekonomike e shoqërore, lirinë e uzurpimit të pronave, lirinë e manipulimit me të (pa)ardhmen, lirinë e qarkullimit mbi gjurmët e tyre… Sead Ramadani është njeri me shpirt e zemër sikur shumë e shumë kurbetçi shqiptarë të tjerë që vuajnë për atdheun, për mëmëdheun, për gjuhën, për adetet, për zakonet, për ritet, për pasurinë shpirtërore dhe materiale, që qajnë për rastin e humbur, për mungesën e tyre në ahengun familjar, për fjalën e pathënë, për vizitën e parealizuar, për vdekjen e shokut, mikut, kushëririt, që qajnë për mospraninë e tyre në varrimet e të afërmve, për pamundësinë që të jenë pjesë e ceremonisë së ngushëllimit dhe të vajtjes për kryeshëndoshë. Sead Ramadani së bashku me sa e sa mërgimtarë rënkojnë për tokën, për dheun sepse e ndjejnë barrën e shekujve, sepse kanë mall, sepse janë gurbetqarë, sepse GURit i janë BETuar duke QARË.

“Malli për tokën” është një fryt që ka dalë nga shpërthimi mendor e shpirtëror i autorit Sead Ramadani, një vepër ku ndërthuren kujtime e përjetime të një njeriu që jeton i rrethuar nga vuajtjet, hallet, dëshirat, gëzimet, shpresat dhe peripecitë e dukshme e të padukshme, të një njeriu që jo rrallë është në agoni, në mëdyshje, në pozitën e vendimmarrësit, në rolin e atij që zien përbrenda duke u luhatur mes pyetjesh e përgjigjesh që ta rrëqethin trupin. “Dhe, kur ta lexosh këtë tufë poezish, të vjen në mendje se lexon vargje të rilindasve të cilët sa janë romantikë, aq edhe përdhimbësorë, por asnjëherë të ndarë nga dashuria njerëzore dhe atdhetare”. Poezia e Sead Ramadanit, sikur edhe çdo poezi tjetër, edhe atëherë kur flet për fshatin, për kalanë, për lulen, për kohën, për gurin… sërish i dedikohet njeriut, atij që me vështirësi lind, që me vështirësi jeton dhe që me vështirësi vdes, atij që është më i fortë se hekuri dhe më i dobët se qelqi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button